Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 7. qershor 2024. Nuk kanë kaluar as dy muaj nga zjarri i fundit në përmasa të mëdha që kishte kapluar deponinë e qytetit ndërsa banorët e Bujanocit dhe rrethinës, të premten në mëngjes, janë zgjuar sërish të rrethuar nga erë e keqe dhe tymi toksik nga deponia e qytetit, e cila digjet që nga mbrëmja e së enjtes.
Lexuesit e portalit tonë na dërgojnë foto dhe video që nga mëngjesi i sotëm dhe pyesin deri kur do të jetë kështu, me shpresën se helmimi nuk do të zgjasë me ditë të tëra, siç ka ndodhur pothuajse në të gjitha rastet e deritanishme.
Kujtojmë se zjarri i fundit i përmasave të mëdha në deponinë komunale në Bujanoc, i cili zgjati 4 ditë, ka ndodhur në fillim të muajit prill ndërsa dy herë ka nxjerrë në rrugë qytetarë të pakënaqur, të cilët kanë kërkuar nga kryetari i komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, për zgjidhjen urgjente të këtij problemi.
Pas mbledhjes së Shtabit për situata të jashtëzakonshme, më pas u vendos që ndërmarrja komunale të merrte të gjitha masat për shuarjen e zjarrit dhe rehabilitimin e deponisë “për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e njerëzve dhe mjedisit” ndërsa kjo kompani u urdhërua të vendosë shërbim të përhershëm 24 orë me një mjet zjarrfikës në deponinë e qytetit, në rast ndërhyrje emergjente dhe për aq kohë sa është e nevojshme.
Mirëpo, as ato masa nuk dhanë rezultat, kështu që banorët e Bujanocit, Rakocit, Sërpska kuqës, Banjës së Bujanocit dhe rrethinës për disa ditë me radhë iu nënshtruan helmimit nga tymi i deponisë. Për shkak të tymit të dendur toksik dhe avujve nga deponia, Bujanoci në ato ditë ishte fjalë për fjalë i padukshëm nga autostrada aty pranë. Helmi është ndjerë në ajër, megjithëse nuk ka matje zyrtare të ndotjes.
E njëjta situatë ka ndodhur në tetor të vitit të kaluar, më herët edhe në shtator dhe disa herë gjatë verës. Skenari është gjithmonë i njëjtë – shpërthen një zjarr, të gjithë mbyten në tym toksik për ditë të tëra ndërsa qytetarët i dërgojnë portalit tonë video dhe foto të katastrofës ekologjike, duke u përpjekur t’u bëjnë thirrje autoriteteve, duke kërkuar të hetojnë shkaktarët e zjarrit, ta shuajnë atë duke kërkuar edhe zhvendosjen e deponisë. Mbulimi me rërë, ruajtja afatshkurtër e deponisë dhe njoftimi se do të ketë dënim nga inspeksioni komunal nëse dikush kapet duke hedhur mbeturina apo duke i djegur – deri më tani nuk kanë dhënë rezultat.
Se zjarret në deponinë e qytetit janë njëri nga problememet më me përparësi të Komunës së Bujanocit dhe se ndalimi i helmimit masiv të qytetarëve është e nevojë urgjente, ngase ajri është i të gjithëve duke mos zgjedhur as përkatësi nacionale e politike, për këtë u pajtuan të gjithë përfaqësuesit e partive politike dhe koalicioneve gjatë prezentimit në fushatën paralektorale të programeve të tyre për zgjidhjen e këtij problemi.
Previous PostKURTI ME FITUESEN E ZGJEDHJEVE NË PRESHEVË, PARALAJMËRON MBËSHTETJE PËR KËTË KOMUNË, PËR BUJANOCIN ASNJË FJALË
Next PostALMIRI NGA BUJANOCI SËRISH NË PËRFAQËSUESEN E SERBISË
Related articles
BAZA E ASFALTIT DHE NDOTJA E MJEDISIT: NUK KA TEJKALIM TË LIMITEVE TË PARAPARA
Bujanovačke18. Dec 2024.