VUÇIQ DHE KURTI TAKOHEN SOT NË BRUKSEL

Bujanoc, 26. qershor 2024. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti do të takohen të mërkurën në Bruksel, në një raund të ri të dialogut të nivelit të lartë.
“Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Përfaqësuesi i Lartë (Josep Borel) dhe i dërguari i posaçëm Miroslav Lajçak do të kenë takime të veçanta me liderët, duke filluar nga ora 15:00, e cila do të pasohet nga një takim i përbashkët trepalësh”, thuhet në deklaratën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), raporton N1.
Në deklaratë shtohet se takimi do të shërbejë për të vlerësuar atë që është arritur në dialogun nën udhëheqjen e Përfaqësueses së Lartë.
Borrell pritet t’i drejtohet mediave pas takimit.
Mbajtja e një raundi të ri dialogu u ra dakord gjatë vizitave të Lajçakut në Kosovë dhe Serbi javën e kaluar.
Në prag të raundit të ri të dialogut në Bruksel, Borel tha se “po bëhen përpjekje që dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të arrihet në një zgjidhje operative” për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit në Bruksel më 14 shtator 2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, por ai takim nuk rezultoi në progres. Dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, një sulm ndodhi në Banjska, në veri të Kosovës, ku grupe të armatosura të serbëve sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një polic. Me atë rast u vranë edhe tre sulmues serbë.
Më 27 shkurt 2023, Beogradi dhe Prishtina arritën një marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Më 18 mars, në Ohër u ra dakord për Aneksin e Zbatimit të asaj Marrëveshjeje, i cili thotë se si aneksi ashtu edhe marrëveshja bëhen pjesë integrale e kornizës së negociatave në procesin e anëtarësimit në BE dhe se mosrespektimi i detyrimeve që dalin prej saj mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative në rrugën evropiane të secilës prej dy palëve.
Më 22 prill, krerët e diplomacisë së vendeve anëtare të BE-së miratuan ndryshimet në kapitullin 35 në negociatat për anëtarësim me Serbinë, me të cilat detyrimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe Ohër edhe zyrtarisht u bënë pjesë përbërëse e atij kapitulli.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *