Bujanoc, 9.korrik 2024. Ka kaluar raundi i parë i bisedimeve ndërmjet partive politike pas zgjedhjeve të 2 qershorit në Bujanoc, por pa marrëveshje konkrete për një shumicë të re eventuale.
Arbër Pajaziti, një nga liderët e Frontit për Ndryshim, koalicioni që në këto zgjedhje fitoi më së shumti vota dhe 8 mandate në Kuvend, ka ndërprerë heshtjen e taktizimeve verore. Me këtë grup kanë folur vetëm përfaqësues të listave serbe, ndërsa ftesa e tij është bojkotuar në dy raste nga tri parti shqiptare.
Bëhet fjalë për LPD-në, PD-në dhe PVD-në, të cilat para zgjedhjeve, nën kujdesin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, bënë marrëveshje për formimin e mazhorancës, por matematikisht e kanë të vështirë me gjithsej 18 mandate në Kuvendin me 41 vende.
Paiaziti nuk përmendi askënd, por me njoftimin e tij të hënën mbrëma tronditi skenën politike në këto ditë të nxehta.
“Marrëveshjet me mospërfillje të parimit të fituesit, të iniciuara nga humbësit dhe shantazhuesit, deri në rrezikun e mbylljes së Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, janë hipokrite e as nuk kanë bazë ligjore. Institucionet e reja lokale, me vullnetin e lirë të sovranit -qytetarëve të çliruara më 2 qershor, do të formohen shumë shpejt”, tha Pajaziti, duke bërë thirrje edhe për zgjedhje të reja, nëse kjo është e nevojshme.
Nëse dy blloqet shqiptare nuk bashkohen dhe nuk krijojnë një shumicë komode me 26 mandate, gjë që tashmë duket e mundur vetëm në teori, është e qartë se pa serbët, tre listat e të cilëve kanë 13 këshilltarë, vështirë se do të jetë e mundur të formohet një pushtet lokal.
Afati ligjor për caktimin e seancës konstituive të Kuvendit është data 31 korrik.