Bujanoc, 17.korrik 2024. Mbi Bujanocin ka gdhirë edhe mëngjes tjetër “magjik”! Tymi ogurzi nga deponia ngrihet mbi rrethinën ndërsa nga rrymat e ajrit po bartet drejt qytetit. Helmet që bartë me vete ajri i tillë në +40 gradë celsius është një kënaqësi e vërtetë për qytetarët që po e ndjenë në lëkurën e tyre.
Deponia mori flakë sërish të dielën dhe kjo është dita e tretë që prej andej na vijnë helme. Muajin e kaluar zjarri u shua nga rrebeshet e shiut, por tani nuk shihet asnjë pikë shiu.
Po të kishte një grimë ndërgjegje, moral, edukatë dhe mendje të shëndoshë, kreu i Komunalisë, i ashtuquajturi Ruzhdi Halili, do të jepte dorëheqjen dhe e njëjta gjë vlen edhe për punëdhënësin e tij, kryetarin e komunës, i cili përkundër debaklit zgjedhor, po mihë edhe me thonjë për të qëndruar në pushtet, sikur kolltuku t’i jetë bërë pjesë e natyrshme e trupit.
Me gjasë, me kësi ekzemplarë njerëzish të paaftë sikur po na ndëshkon ndonjë fuqi supreme, ndaj i ka vendosur në pozitat ku merren vendimet, duket se presin një forcë të padukshme që vjen dhe zgjidhë këtë çështje.
Ata besojnë te Supermeni, si fëmijët që e trajtojnë kryerjen e detyrave të përgjegjshme si një lodër.
Lexuesit na dërgojnë çdo ditë foto dhe eksperienca personale, duke thënë se nuk hapin dot dritaret në këtë vapë. Edhe në mbrëmje kur ka rënie të temperaturave, është pothuajse e pamundur të ecësh nëpër qytet.
Fakti që pushteti lokal prej vitesh nuk bën asgjë, të paktën për ta sanuar këtë problem, njëjtë po bëjnë edhe autoritetet në kryeqytet që po sillen si të painteresuara, sikur këtu nuk jetojnë njerëz por disa qenie më të ulëta. Dhe nëse kjo vazhdon, të gjithë do të bëhemi mutantë shumë shpejt. Është mirë që nuk kemi ende ulçera në fytyrë dhe sytë nuk po rriten në pjesën e pasme të kokës.
Nëse kësaj i shtojmë faktin se shumë vendbanime përreth nuk kanë ujë, dhe rrugët e qytetit janë të mbushura me mbeturina, përshtypja është se jemi viktima të një lloj eksperimenti. Pra, kush ka mbijetuar, le të flasim, nëse do të ketë ndonjë të tillë.
Qeverisja, dhe jo vetëm se kjo aktualja, në të gjitha nivelet, po bëjnë gjithçka për ta bërë këtë qytet nga një qytet të këndshëm për të jetuar në një vend sipas të cilit Çernobili është një banjë ajri.
Dhe imagjinoni, ata nuk kanë turp fare!