OSBE DËNON GJUHËN E URREJTJES NDAJ SHQIPTARËVE NË GRAFITIN E SHKRUAR

Bujanoc, 15 gusht 2024. – Misioni në Serbi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dënoi mbishkrimet e urrejtjes kundër shqiptarëve në Bujanoc, në jug të Serbisë, të shkruar në oborrin e Shtëpisë së shëndetit.
“Misioni i bashkohet deputetit Shaip Kamberi dhe drejtorit të Trupit Koordinues për Jugun e Serbisë, Nenad Mitroviq, në dënimin e grafiteve të urrejtjes që u shfaqën në oborrin e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc më 13 gusht”, ka thënë Misioni i OSBE-së në llogarinë e vet në Instagram.
Grafitin e urrejtjes e ka dënuar edhe kryetari i komunës, Arbër Pajaziti.
Ata theksuan se shprehjet e gjuhës së urrejtjes që kanë për qëllim pakicën kombëtare “prishin besimin në mes të komuniteteve dhe dëmtojnë marrëdhëniet ndëretnike në Komunën e Bujanocit”.
“Gjuha e urrejtjes dëmton marrëdhëniet mes fqinjëve të cilët do të vazhdojnë të jetojnë së bashku”, deklaroi OSBE.
Në të njëjtën kohë, kjo organizatë ndërkombëtare iu bashkua thirrjeve drejtuar institucioneve ligjzbatuese për të gjetur dhe ndjekur urgjentisht autorët.
“Të gjithë aktorët politikë ndajnë përgjegjësinë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira dhe respektit të ndërsjellë midis komuniteteve,” thuhet në deklaratën e OSBE-së.
Siç ka bërë të ditur Bujanovaçke, grafiti “Vdekje shqiptarëve” është shfaqur më 13 gusht në oborrin e Shtëpisë së shëndetit dhe autoritetet janë në kërkim të një ose më shumë autorëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *