VUÇIQI NË PASTIÇERINË PELIVAN: SERBIA ËSHTË VENDI I TË GJITHË QYTETARËVE ,PA DALLIM PËRKATËSIE KOMBËTARE

Bujanoc, Beograd, 20 gusht 2024. Serbia është shteti i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim përkatësie kombëtare, tha presidenti Vuçiq gjatë vizitës së tij në pastiçerinë “Pelivan” të Beogradit, pronarët e së cilës kishin marrë kërcënime në ditët e kaluara.
Vuçiq ka theksuar se në shoqërinë serbe nuk ka vend për kërcënime.
Në llogarinë e tij në Instagram #buducnostsrbijeav, ai ka postuar një video nga pastiçeria e famshme me këtë përmbajtje:
Pastiçeria Pelivan është pjesë e trashëgimisë sonë të përbashkët, jo vetëm në Beograd, por edhe në të gjithë Serbinë. Ky vend është simbol i dashurisë, përbashkësisë dhe respektit që zgjatë më shumë se një shekull e gjysmë”, ka shkruar Vuçiq në një postim në profilin e Instagramit “buducnostsrbijeav”, së bashku me të cilin ka postuar një video të një bisede me pronarët e pastiçerisë.
Ai ka theksuar se si president i vendit dëshiron të dërgojë një mesazh të qartë se kërcënimet që iu drejtuan pronarëve ditëve të kaluara nuk kanë vend në shoqërinë serbe.
“Serbia është vendi i të gjithë qytetarëve të saj, pa dallim kombësie apo feje. Detyra jonë është të ruajmë dhe mbrojmë të kaluarën dhe të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se organet kompetente kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur familjen që drejton pastiçerinë “Pelivan” dhe që incidente të tilla të mos përsëriten më.
“Ky është një vend ku të gjithë qytetarët duhet ta ndjejnë sigurinë dhe përkatësinë, dhe kjo është diçka që ne do ta mbrojmë me vendosmëri”, përfundoi Vuçiq.
Kujtojmë se në Bujanoc, për herë të dytë brenda një jave, në Shtëpinë e shëndetit janë shfaqur mbishkrime kërcënuese, me shumë gjuhë urrejtjeje ndaj shqiptarëve, për të cilat tashmë kemi shkruar.
Siç mësohet jozyrtarisht, autoritetet po punojnë intensivisht për zbardhjen e këtyre rasteve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *