AMIR XHAFERI, LIDER I RI I KOMUNALISË: KEMI HASUR NË KAOS, QË NESËR QYTETARËT DO T’I VËREJNË NDRYSHIMET NË RRUGËT E QYTETIT

Bujanoc, 3 shtator 2024. – Është realizuar ëndrra dhe dëshira e secilit bujanocas që e ka në zemër këtë qytet, andaj kemi pritur që më në fund të largohet nga ky post drejtori më i pasuksesshëm i NP Komunalia, Ruzhdi Halili. Nga e hëna edhe zyrtarisht Amir Xhaferi (1984) – i diplomuar për ekonomi dhe anëtar i Frontit për Ndryshim, është në krye të Organit të përkohshëm të kësaj ndërmarrje publike. Ajo që dihet është se në organin e Përkohshëm si zëvendës i tij do të jetë Nebojsha Kostiq nga SNS, ndërsa drejtor i ri teknik do të jetë Sërgjan Zllatkoviq, punonjës me përvojë të gjatë i Komunalisë dhe personel i GQ Dr. Stojanoviq.
Me pak fjalë Xhaferi përshkruan rrëmujën që gjeti në kompani, pa llogaritur atë që secili prej nesh, si qytetar, sheh çdo ditë – rrugë të papastra, deponi të egra nëpër qytet, deponia, ujësjellësi…
Ne kemi gjetur një borxh prej 200 milionë dinarë, prej të cilëve 100 milionë janë vetëm për pagat e punonjësve ndërsa të hënën (2 gusht) kemi arritur të paguajmë një nag pagat mujore të prapambetura, tregon Xhaferi.
Makineritë janë të shkatërruara:
-Nga 9 kamionë gjithsej vetëm dy janë në gjendje të mirë, andaj që sot kemi filluar riparimin dhe servisimin e makinave të prishura. Por ne ishim të pafat në fillim sepse dje u prish ndërruesi i shpejtësisë në cisternën e vetme që ka ndërmarrja. Edhe ekskavatori është jashtë funksionit, thotë kreu i ri i Komunalisë.
Megjithatë, përkundër problemeve të listuara, ka plane të qarta, zbatimi i të cilave do të fillojë që të mërkurën dhe siç thotë ai, qytetarët do ta shohin menjëherë:
– Fillimisht po fillojmë aksionin e pastrimit të plotë dhe të detajuar të qytetit, largimit të plehrave nga rrugët dhe hapësirave publike, rregullimit të gjelbërimit. Kemi kontejnerë të rinj kështu që do t’i ndërrojmë të vjetrat, po fillojmë të vendosim kosha plehrash në rrugë, në park dhe në shesh dhe kudo tjetër që duhet… tha në vazhdim Xhaferi.
Dhe, ajo që deri më tani nuk ka qenë praktikë dhe do të bëhet sipas njoftimit të tij nga nesër, është që mbeturinat të largohen disa herë në ditë nga vendet më kritike të qytetit.
– Ne duam që nga dita e parë të punojmë për të mirën e qytetarëve, të fillojmë pastrimin, sepse është turp si duket qyteti ynë tani.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *