KËSHILLI KOMBËTAR SHQIPTAR DHE PVD: NUK KEMI ÇKA TË BISEDOJMË ME BERISHËN “E DËGJUESHËM”, MITROVIQI SI MILLOSHEVIQI

Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, Beograd, 6 shtator 2024. (Foto FB Lutfiu dhe Kamberi)- Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) Nevzad Lutfiu thotë se nuk do të flasë me Demë Berishën për problemet e shqiptarëve, ndërsa nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) e Shaip Kamberit thonë se drejtori i Shërbimit të Trupit kordinues, organ shtetëror për jugun e Serbisë, Nenad Mitroviq, po përpiqet të imitojë Sllobodan Millosheviqin me gjoja zgjidhjen e problemeve me “shqiptarë të ndershëm”. Në reagimet ndaj iniciativës së Mitroviqit për të folur për pasivizimin e adresave të shqiptarëve, theksohet se vetë ideja është dëshmi se procesi është selektiv, përkatësisht i drejtuar kundër komunitetit shqiptar në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
– Me Demo Berishën nuk ulem në tryezë për të diskutuar problemet e shqiptarëve, e aq më tepër pasivizimin e adresave. Vet idea e Nenad Mitroviqit për ta organizuar një tryezë me shqiptarët për të diskutuar për pasivizimin e adresave është pohim i asaj që ne me vite po e deklarojmë, procesi i pasivizimit është selektiv.. Ne jemi të interesuar të integrohemi në Serbi, por si shqiptarë dhe jo si “šiptari”, deri atëherë protestat do të vazhdojnë – tha kryetari i KKSH-së, Nevzad Lutfiu.
Partia e Kamberit mendon se Mitroviqi po përdor metoda të veprimit tinëzar politik duke tentuar të institucionalizojë politikën e Sllobodan Millosheviqit, sipas të cilit “problemet zgjidhen me shqiptarët e dëgjueshëm”, pra me shqiptarët “e ndershëm””.
– Duke anashkaluar të gjithë të përzgjedhurit e shqiptarëve Mitroviq paska nisur “zgjidhjen e çështjes së pasivizimit” pikërisht me një “shqiptar të ndershëm” siç është Demo Berisha. Bashkepunimi Mitroviq – Berisha ka për qëllim eliminimin e përfshirjes ndërkombëtare në çështjet që kërkojnë zgjidhje urgjente për shqiptarët. Në të njejtën kohë, binomi Mitroviq – Berisha po tentojnë të eliminojnë përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë duke u munduar që problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët t’i shndrrojnë në probleme teknike dhe jo politike, sipas PVD-së.
Prandaj këtë takim Mitroviq- Berisha, shton PVD, nga spektri politik shqiptar duhet kuptuar si këmbanë alarmi për veprim të përbashkët politik.
– Problemi i pasivizimit është produkt i politikës që përfaqësojnë edhe Mitroviqi edhe Berisha. Vetëm se edhe njëri edhe tjetri janë politikisht të dobët për të zgjidhur një problem të komplikuar e me tendenca të spastrimit etnik të shqiptarëve si puna e pasivizimit- pohon partia e Kamberit.
Foto: Demo Berisha
Ata gjithashtu theksojnë se pasivizimi duhet të ndalet nga ata që e kanë nisur.

– Mitroviq e Berisha, me aktivizimin e tyre, tentojnë të blejnë kohë përderisa Ministria e brendshme po vazhdon me aplikimin e pasivizimit selektiv.– përfundojnë në PVD.

Demo Beriša është këshilltar special i ministrit për të drejtat e njeriut dhe të pakicave dhe dialogut social. Ai është kryetar i Shoqatës Amëza shqiptare, me seli në Novi Sad. Ajo nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe Serbinë e quan atdheun e saj.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *