Bujanoc, Prishtinë, 12 shtator 2024. – Qeveria e Kosovës miratoi fondin prej 240 mijë euro për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit shqiptar të shkollave fillore në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Kjo ndihmë vjen për të katërtin vit radhazi përmes Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) ndërsa këtë vit me tekste falas do të paisen 3708 nxënës – 2220 në Preshevë, 1461 në Bujanoc dhe 27 në Medvegjë.
“Ky akt është më shumë se akt administrativ, është akt solidariteti dhe përgjegjësie kombëtare për të cilin nuk ka fjalë tjetër veç mirënjohjes së thellë!”, tha Ragmi Mustafi, kryetar i PVD-së për Bujanoc dhe këshilltar i zv/kryeministrit të Kosovës, Besnim Bislimi.
Siç u shpreh ai, kjo është një garanci për të ardhmen e brezave që do të vijnë, për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e identitetit.
“Fatkeqësisht, Serbia ende nuk i lejon librat shkollorë në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës për rreth 3000 nxënës të shkollave të mesme, sipas programeve të reformuara”, përkujtoi Mustafi.
Siç shtoi ai, vendimi i sotëm i Qeverisë së Kosovës nuk ka të bëjë vetëm me arsimin, por me ne si popull, si një qenie unike që pavarësisht kufijve politikë, ngrihemi në krah të njëri-tjetrit. Qeveria e Kosovës dëshmon edhe një herë se qëndron krah për krah me shqiptarët e Luginës së Preshevës, sepse vetëm kështu ecim përpara, më të fortë se kurrë!