Bujanoc, 17 shtator 2024. Komuna e Bujanocit dhe Haraçinës në Maqedoninë e Veriut bashkërisht do të aplikojnë për para nga fondet IPA të Bashkimit Evropian, me një projekt të dedikuar për përmirësimin e mbrojtjes sociale. Bashkëpunimi është arritur në takimin e kryetarëve të dy komunave, Arbër Pajaziti dhe Ridvan Ibrahimi, të mbajtur të hënën në Bujanoc.
-Sot patëm një bisedë vëllazërore me kryetarin e Komunës së Haraçinës (Maqedonia e Veriut), Ridvan Ibrahimi. Në konkretizimin e bashkëpunimit u pajtuam që të hartojmë një projekt me të cilin do të aplikojmë në fondet IPA të Bashkimit Evropian – tha Pajaziti pas takimit.
Sipas tij, projekti i përbashkët do t’i kushtohet mbrojtjes sociale, si një segment shumë i rëndësishëm i shoqërisë.
– Realizimi i kësaj ideje në kuadër të bashkëpunimit ndërkufitar do të përmirësonte shumë pozitën e shtresave më të ndjeshme në dy komunat tona. Bujanoci dhe Haraçina janë të lidhura ngushtë me miqësi familjare dhe tash e tutje kjo marrëdhënie do të forcohet përmes partneritetit institucional dhe social – tha Pajaziti.
Komuna e Bujanocit tashmë ka bashkëpunuar në këtë mënyrë me komunën e Likovës në Maqedoninë e Veriut, e cila ka rezultuar me një donacion në vlerë prej 160.000 euro për NP “Komunalia”.