Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 1 tetor 2024. Punonjësit arsimor në Bujanoc nuk do t’i bashkohen radikalizimit të protestës që për 2 tetor e paralajmëruan katër sindikata përfaqësuese – përkundrazi. Punëtorët e gjimnazit “Sveti Sava” do të kalojnë nga ndërprerja totale e punës, siç ishte më 16 shtator, në atë të pjesshme, ndërsa në gjimnazin “Sezai Suroi” nuk do të ketë fare grevë, sipas drejtorit.
Drejtoresha e shkollës “Sveti Sava”, Svetlana Manasijeviq, thotë se të mërkurën mësimi do të shkurtohet në 30 minuta, por në të gjitha orët.
– Të gjithë anëtarët e një sindikate (Unioni) do të jenë në grevë duke mbajtur orë 30-minutëshe, atyre u bashkohen edhe disa kolegë nga një sindikatë tjetër (Sindikata e pavarur), pra jo të gjithë, kështu që do të ketë nga ata që do të mbajnë orë të plotë 45. – minuta – tha ajo sot për portalin tonë.
Kolegët e shkollës “Sezai Suroi”, ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe, nuk do të bëhen pjesë e grevës në asnjë formë, pohon drejtori, Admir Nazifi.
Siç tha ai, është mjaft i sigurt se nesër profesorët do të punojnë rregullisht me orë mësimore 45 minutëshe.
Radikalizimi i protestës së punojësve arsimor bëri që edhe punëtorët e institucioneve parashkollore të dalin në grevë më 2 tetor, e cila në rastin e Bujanocit sërish do të jetë vetëm e pjesshme.
Sipas informacioneve jozyrtare, punëtorët e shkollës fillore “Branko Radiçeviq” janë të gatshëm të përsërisin ndërprerjen e plotë të punës, por vendimin përfundimtar do ta marrin pas mbledhjes së përfaqësuesve të sindikatave dhe Qeverisë së Serbisë, që është caktuar për sot.
Si përkujtim, sindikatat e arsimit kërkojnë që në pajtim me marrëveshjen me Qeverinë e Republikës së Serbisë, ndryshimet e propozuara në Kodin Penal t’i nënshtrohen debatit publik dhe të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Serbisë, me procedurë urgjente.
Ata gjithashtu kërkojnë nga autoritetet që paga fillestare e një mësuesi, gjegjësisht punonjësit me shkallë të shtatë dhe në përputhje me protokollin e nënshkruar me Qeverinë e Republikës së Serbisë, në janar 2025 të barazohet me pagën mesatare në Republikën e Serbisë, sipas të dhënave të fundit të publikuara të Institutit Republikan të Statistikave.
Rritja, siç thonë ata, duhet të jetë në të njëjtën përqindje për të gjithë punonjësit në arsim.
Më pas, punonjësit arsimor kërkojnë që deri në fund të vitit 2024, në konsultim me sindikatat përfaqësuese, të ndryshohet Rregullorja për koeficientët për llogaritjen dhe pagesën e pagave të punonjësve në shërbimet publike, në përputhje me Protokollin e nënshkruar.
Sindikatat përfaqësuese të arsimit kërkojnë gjithashtu që punonjësve në arsim të paguhet shpërblimi i Vitit të Ri në përputhje me Kontratën e Posaçme Kolektive.
NË BUJANOC ASGJË NGA RADIKALIZIMI I PROTESTËS SË PUNONJËSVE TË ARSIMIT
Bujanovačke1. Oct 2024.FILLIMI, SHOQËRI0
Previous PostNJË SHQIPTARE DHE NJË SERBE NGA VRANJA PUNËSOHEN NË GJYKATËN E BUJANOCIT
Next PostNGA SOT BUJANOVAÇKE ME PROFIL EDHE NË INSTAGRAM