Shkruan: I. Jovanoviq
Bujanoc, 21 tetor 2024. – (Foto nga arkivi) – Janë gjithësejtë 3182 qytetarë, gjegjësisht 988 familje të Komunës së Bujanocit që marrin asistencë sociale në të holla. Shuma e kompensimit varion nga 9.060 deri në 32.000 dinarë, ndërsa numri i atyre që e marrin është më i vogël në krahasim me vitin e kaluar, thanë për portalin tonë në Qendrën për punë sociale në Bujanoc.
Sipas po këtyre të dhënave, 286 banorë të Bujanocit marrin përkujdesje nga palët e treta dhe shtesë plus, prej 14.690 deri në 39.630 dinarë.
460 qytetarë kanë përfituar ndihmë të njëhershme financiare në vitin 2024.
Krahasuar me vitin e kaluar, siç thuhet nga Qendra, numri i atyre që marrin ndihmë sociale në para është më i vogël.
Kujtojmë se një e pesta e qytetarëve të Serbisë janë në rrezik të varfërisë dhe është e nevojshme që urgjentisht të miratohet Strategjia e mbrojtjes sociale, njoftoi Fondacioni Qendra për demokraci në Ditën ndërkombëtare të luftimit të varfërisë (17 tetor). Bujanoci bën pjesë në grupin e komunave më të pazhvilluara në Serbi, ndërsa Bujanoci është në fund edhe sa i përket pagave.
Në Serbi, sipas të dhënave të fundit të Entit Republikan të Statistikave (ERS), 19.9% e qytetarëve jetojnë në rrezik të varfërisë, ndërsa 27.2% e popullsisë është e ekspozuar ndaj rrezikut të varfërisë ose përjashtimit social. Kategoritë sociale më të prekura janë të moshuarit dhe të papunët, gjë që tregon mungesë serioze të një qasjeje sistematike në luftën kundër varfërisë.