SHQIPTARËT PROTESTOJNË NË MEDVEGJË KUNDËR PASIVIZIMIT TË ADRESAVE

Bujanoc, 3. nëntor 2024. – Protesta e shqiptarëve për shkak të pasivizimit të adresave do të mbahet sot në Medvegjë, para stacionit policor në atë vend me sloganin “Na ktheni adresën!”. Tubimi është planifikuar të fillojë në orën 13:00. Pas Bujanocit dhe Preshevës, ky do të jetë tubimi i tretë i shqiptarëve me sloganin e përbashkët “Stop diskriminimit”.
Këto protesta së bashku me Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH) organizohen nga tre parti që tubojnë shqiptarët (PVD, PD dhe LPD), ndërsa përmes rrjeteve sociale drejtuesit e tyre ftojnë qytetarët t’u bashkohen në ptotestë.
“Në Medvegjë kërkojmë drejtësi dhe kthimin e adresave të pasivizuara, padrejtësisht! Të mos lejojmë që qytetarët tanë të humbasin të drejtën e identitetit dhe ekzistencës në vendin e tyre. Kjo protestë është një thirrje kundër diskriminimit, për të mbrojtur të drejtën e çdo shqiptari për të jetuar me dinjitet në atdheun e tij. Mos e mbani gojën mbyllur! Të bashkohemi për identitetin dhe të ardhmen tonë!”, tha kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kryetari i KKSH-së Nevzad Lutfiu është takuar një ditë para protestës me një grup shqiptarësh nga Medvegja të cilëve u ka thënë se nuk janë harruar.
“Shpopullimi i shqiptarëve në Medvegjë për shkak të pasivizimit masiv të adresave nuk do të tolerohet”, tha Lutvfiu.
Fjalën e mori edhe Ragmi Mustafi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc.
“Medvegja është një kujtim i përjetshëm i sfidave të mbijetesës, ku mijëra qytetarëve u është hequr identiteti bazë”. Jetojnë pa pasaportë, pa letërnjoftim, pa mbrojtje sociale dhe shëndetësore, pa shtëpi, pa tokë dhe pa adresë”, tha Mustafa.
Sipas tij, protesta para Komisariatit është thirrje për drejtësi dhe të drejtën e ekzistencës ndërsa Medvegja është simbol i qëndresës së shqiptarëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *