Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 26. nëntor 2024. (Foto nga arkivi) – Shqiptarët në Bujanoc dhe Preshevë shënojnë Ditën e Flamurit (28 Nëntorin), festën e tyre kombëtare, duke shfaqur flamuj shqiptarë në objektet e Administratave komunale dhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSh), ndërsa liderët e tyre politikë tani i ftojnë ata që të vendosin flamuj në shtëpitë e tyre për festën e ardhshme.
Deputeti i Bujanocit dhe lideri i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) Shaip Kamberi tha në prag të festës së Shqipërisë se Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që me ligj i ndalon pakicat të përdorin simbolet e tyre kombëtare nëse ato janë identike me simbolet e shtetit amë.
“Kësaj radhe le të japim një përgjigje gjithëpërfshirëse, përgjigjen e të gjithë qytetarëve. secili prej nesh më 28 Nëntor le të vendosim një flamur kuq e zi në shtëpitë tona. Të shënojmë festën më të madhe kombëtare dhe të tregojmë se nuk do ta ndryshojmë simbolin kombëtar”, ka bërë të ditur Kamberi.
Sipas tij, flamuri me fushë të kuqe dhe shqiponjë të zezë dykrenare në mes është edhe simbol i kombit shqiptar edhe simbol shtetëror i Republikës së Shqipërisë ndërkohë që Serbia e po sanksionon ligjërisht përdorimin dhe vendosjen e këtij simboli.
-Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kroacia nuk e kanë këtë problem. Ato lejojnë përdorimin e lirë dhe zyrtar të simboleve të pakicave kombëtare që jetojnë në territorin e tyre – thotë Kamberi.
Siç thotë ai, liderët e partive politike, institucioneve komunale dhe Këshillit Kombëtar vendosën flamurin kombëtar shqiptar vetëm më 28 nëntor në institucionet që drejtojnë dhe për këtë përballen me kallëzime dhe gjoba.
Ai përkujtoi se ka dorëzuar një iniciativë në Kuvendin e Serbisë për të hequr këtë pengesë ligjore, por se, siç thotë ai, Serbia po hesht.
“Funksionon vetëm kur duhet të merren masa ndaj individëve apo institucioneve që përdorin simbolin kombëtar shqiptar në datën historike të përmendur”, thotë Kamberi.
Thirrjen e Kamberit drejtuar qytetarëve e kanë përkrahur edhe bashkëpartiakë të tij, si Ragmi Mustafi, kryetar i degës së PVD-së në Bujanoc.
Për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar, policia prej vitesh ka ngritur kallëzime kundërvajtëse ndaj drejtuesve komunalë, kryetarëve të Këshillit kombëtar shqiptar, zyrtarëve dhe drejtorëve të institucioneve publike, drejtuesve partiakë, të cilët janë dënuar për kundërvajtje nga neni 41 i Ligjit për pamjen, përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë.
Ligji ndër të tjera parashikon se personi juridik do të dënohet me gjobë prej 50.000 deri në 500.000 dinarë për kundërvajtje nëse vendos stemën apo flamurin e një shteti të huaj në Republikën e Serbisë pa e vendosur stemën apo flamurin e Republikës së Serbisë, përveç nëse parashikohet ndryshe me një marrëveshje ndërkombëtare të konfirmuar.
Sipas ligjit për pakicat kombëtare, komuniteteve u lejohet të përdorin simbole kombëtare, por jo identike me simbolet e shtetit amë.
Shqiptarët refuzojnë të ndryshojnë në asnjë detaj simbolet kombëtare, duke iu referuar Kushtetutës së Serbisë, e cila, siç interpretojnë ata, u garanton atyre përdorimin e simboleve të tyre.