Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 11. dhjetor 2024. Palestra e sporteve “Rinia” në Bujanoc ka 23 vjet që nga ndërtimi i saj por që nuk ka leje përdorimi, e cila praktikisht garanton se objekti është i sigurt për përdorim. Asnjëherë nuk është bërë asnjë kontroll teknik i godinës, nëpër të cilën qindra njerëz dhe fëmijë qarkullojnë çdo ditë.
Fakti që nuk ka leje përdorimi nuk do të thotë se palestra e Bujanocit nuk është e sigurt. Në fakt – deri më tani askush nuk ka bërë verifikim sigurie për të mënjanuar çdo dyshim në sigurinë e palestrës.
Çka është leja e përdorimit?
“Mungesa e lejes së përdorimit nuk do të thotë shprehimisht se objekti është i pasigurt, por konstatohet se nuk ekziston. Është e kotë që tani të merremi me atë nëse ky pallat duhet të përdoret apo jo, ngase 14 njerëz vdiqën në Novi Sad”, tha më herët për N1 inxhinieri i ndërtimit Aleksandar Opsenica.
Leja e përdorimit është vendim i organit kompetent i cili përcakton se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen e ndërtimit dhe i cili miraton përdorimin e punimeve të kryera. Leja e përdorimit garanton respektimin e të gjitha rregullave të nevojshme dhe të detyrueshme të ndërtimit, se pajisjet janë kontrolluar dhe funksionale, se objekti është i lidhur me të gjithë rrjetin e infrastrukturës dhe se ka pëlqimin e autoriteteve dhe institucioneve kompetente.
Si filloi?
Ndërtimi i sallës sportive në Bujanoc ka përfunduar në vitin 2001, kur objekti ka filluar të përdoret.
Institucioni i atëhershëm publik Drejtoria për Ndërtim, e udhëhequr nga drejtori Nebojsha Stojanoviq, kishte juridiksion mbi objektin gjatë ndërtimit. Me hapjen ceremoniale të palestrës, juridiksioni mbi objektin i kalon Qendrës Sportive “Rinia”.
– Drejtoria ishte përgjegjëse për ndërtimin e sallës. Në hapjen e sallës personalisht drejtorit të atëhershëm të Qendrës Sportive Zoran Dimitrijeviq ia dorëzova lejen urbanistike, e cila sipas ligjit të atëhershëm të vlefshëm ishte parakusht për marrjen e të gjitha dokumenteve të tjera të nevojshme dhe në fund lejen e përdorimit – thotë. Stojanoviq.
Ai theksoi se së bashku me lejen urbanistike Drejtoria ka dorëzuar pranë Qendrës Sportive të gjithë dokumentacionin tjetër të nevojshëm dhe se ishte bërë e mundur marrja e lejes së përdorimit brenda 15 ditëve.
– Nuk e di pse nuk është bërë deri më sot. Ajo që di me siguri është se ka qenë obligim i Qendrës Sportive “Rinia” – thotë Stojanoviq.
Zoran Dimitrijeviq, drejtor i Qendrës Sportive në atë kohë, thotë se ka qenë i vetëdijshëm për rreziqet e përdorimit të sallës pa leje përdorimi dhe se ka insistuar që të merret ky dokument.
– Në vitin 2001 Drejtoria na e ka dorëzuar palestrën në përdorim. Ne kishim një leje urbanistike nga ministria, thamë se duhej leje përdorimi, Drejtoria menaxhonte sallën, unë insistova që na duhej leje përdorimi. U thoja se ka rrezik që palestra të mos përdoret fare. Kështu i kam “lutur” 10 vjet për ta marrë atë leje përdorimi, kam kaluar nëpër Drejtori pa ndërprerje, drejtorët ndërruan, mezi gjetëm dokumentacion në Ministrinë e Transportit – kujton Dimitrijeviq.
Për 13 vitet e ardhshme janë ndërruar drejtorët e Qendrës Sportive “Rinia”, ndërkohë që palestra është në shfrytëzim edhe pse nuk ka leje përdorimi. Nuk ka të dhëna që të ketë reaguar ndonjëherë ndonjë inspektim.
Si do të përfundojë?
E se palestra nuk ka leje përdorimi, opinioni i gjerë ka mundur ta dëgjojë së fundi në seancën e Kuvendit të Bujanocit dhe të lexojë diçka më herët në tekstin e portalit tonë për 100 ditët në krye të Qendrës Sportive të drejtorit të ri , Dragan Miliq.
Përkatësisht, pas rishikimit të buxhetit komunal përmes Trupit Koordinues për jugun e Serbisë, Qendra Sportive do të marrë 750 mijë dinarë për sistemin e mbrojtjes nga zjarri, që është kushti i fundit për marrjen e lejes së përdorimit, sipas drejtorit.
– Paraardhësit e mi kanë bërë një pjesë të madhe të punës, mbetet për t’u kryer puna për projektin e mbrojtjes nga zjarri. Pas kësaj, salla do të plotësojë të gjitha kushtet për marrjen e lejes së përdorimit. Është prioritet – thotë Miliq për Bujanovaçke.
Pas 23 vitesh ka mbetur për t’u plotësuar edhe vetëm një kusht, nëse është ndonjë ngushëllim.