Bujanoc, 20 janar 2025. (Foto nga FB – Ardita Sinani) – Lule dhe nderime për luftëtarët e rënë të UÇPMB-së në Preshevë. Zyrtarët e komunës së Preshevës të hënën bënë nderime dhe vendosën lule në vendin, ku 12 vjetë më parë, pjesëtarët e Xhandarmërisë hoqën nga qendra e Preshevës memorialin kushtuar luftëtarëve të rënë të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB).
Kryetarja e Preshevës Ardita Sinani dhe zëvendësi i saj Ragmi Mustafa vendosën lule.
“Terror ndaj qytetarëve” kështu e karakterizoi Sinani aksionin e xhandarmërisë së 12 viteve më parë.
Foto: Lule dhe nderime në Preshevë
– Në mëngjesin e hershëm të 20 janarit, 12 vjet më parë, qytetarët u terrorizuan nga prania e madhe e forcave të xhandarmërisë serbe. Arsyeja e ardhjes ishte heqja e dhunshme e memorialit kushtuar luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së – ka deklaruar ajo.
Siç tha ajo, edhe pas më shumë se një dekade, shqiptarët e kujtojnë këtë ngjarje “që për herë të dytë hapi plagët e familjeve të dëshmorëve”.
-Por asnjë forcë nuk mund të na detyrojë të fshijmë kujtimin për ta. Lavdi e përjetshme – tha kryetarja e komunës.
Në vitin 2012, memoriali u vendos në platonë përballë ndërtesës së Administratës komunale në Preshevë, ndërsa me një operacion të Xhandarmërisë ai u hoq më 20 janar të vitit tjetër.