Bujanoc, 18 shkurt 2025. (Foto: Google maps/Jugosllav Radojeviq) – Jelena Ivetiq është nga Vranja, e martuar në Shabac, ku jeton gati dy dekada, ndërsa babai i saj është nga Bujanoci, përkatësisht nga Lopardinca. Përderisa para martesës jetonte në Vranjë, zëri i saj ishte marka e OK Radios dhe përvojën teatrore e fitoi në teatrin e Vranjës. Jelena doli në pah pasi u pushua nga Teatri i Shabacit, pas 16 vitesh punë. Ajo humbi punën si organizatore programesh, edhe pse nuk thuhet gjëkundi, për shkak të përfshirjes së saj në protesta. Zyrtarisht, brenda natës, në tabelën e shpalljeve të teatrit doli një sistemim i ri, duke eliminuar pozicionin e Jelenës. Ata që i kuptojnë këto kurthe thonë se Jelena është ndër më të mirat në Serbi në atë që bën. Në mbrojtje të saj nuk dolën vetëm kolegët e saj nga Shabaci, por edhe i gjithë klubi i esnafëve të aktrimit në Serbi:
“Lëreni Jelenën të ju zgjidhë bllokadën” është një pankartë që mund të shihet në bllokada dhe protesta anembanë Serbisë.
Bujanovaçke raporton rrëfimin e saj të publikuar në portalin Nova.
Jelena Ivetiq nga Vranja është shkarkuar nga Teatri i Shabacit pas 16 vitesh punë. Ajo erdhi në punë dhe gjeti një sistemim të ri në tabelën e shpalljeve, sipas të cilit pozicioni i saj u shpall i si tepricë teknologjike. Pas një ore, ajo mori aktin mbi prishjen e kontratës së punës dhe një rrogë përcjellëse.
Dhe, kjo është kjo.
“Dhe më thanë se kjo – është kjo”, thotë Jelena Ivetiq për Nova.rs.
Me këtë rast, anëtarët e kolektivit të Teatrit të Shabacit, 21 sish, në një letër drejtuar qytetit të Shabacit kanë paraqitur tri kërkesa.
“Kërkojmë nga themeluesit e teatrit anulimin e menjëhershëm të ndryshimeve në Rregulloren për sistematizimin e vendeve të punës në Teatrin e Shabacit, të miratuara më 6 shkur,në kundërshtim me ligjin; anulimin urgjent të vendimit për shkëputjen e kontratës së punës së përhershme të koleges sonë Jelena Ivetiq, të caktuar në pozitën “organizatore programi” dhe rikthimin e saj në të njëjtën pozitë; si dhe shkarkimin e ushtruesit të detyrës së drejtores, Aleksandra Deliq.
Arsyeja e kësaj letre është ajo që ndodhi të premten e kaluar në këtë teatër, i cili u themelua në vitin 1906 dhe funksionon që nga viti 1944.
Përkatësisht, në tabelën e shpalljeve të Teatrit të Shabacit janë vendosur ndryshimet në Rregulloren e sistematizimit të vendeve të punës, të cilat përmes një konkluzioni i ka miratuar kryetari i qytetit të Shabacit, Aleksandar Pajiq. Sipas atij sistematizimi, pozita e organizatores së programit ishte fshirë dhe pas disa orësh Jelena Ivetiq, e cila e mbante këtë pozitë për më shumë se 15 vjet, mori njoftim për pushim nga puna, pa asnjë paralajmërim paraprak. Të njëjtat ndryshime eliminuan punën e një dekoruesi, stilisti veshjesh dhe rrobaqepësie.
“Asnjë nga këta punonjës nuk ka marrë ndonjë paralajmërim për këto ndryshime, madje nuk janë njoftuar as anëtarët e Këshillit drejtues të Teatrit, e as nuk është kërkuar mendimi i sindikatës përfaqësuese, pra e tëra është bërë në kundërshtim me marrëveshjen kolektive të veçantë. Gjithashtu në mënyrë të paligjshme, ndryshimet hynë në fuqi të nesërmen, në vend të tetë ditëve pasi ishin publikuar në tabelën e shpalljeve. Pa arsyetim”, thuhet në një letër nga stafi i teatrit.
Në të njëjtën kohë, ndryshimet në rregulloren mbi sistematizimin e vendeve të punës, siç kujtuan ata, kanë parashikuar dy pozita të reja – një dramaturg dhe një skenograf.
“Teatri ynë nuk ka pasur asnjëherë punonjës në këto pozita”. Këto pozita besojmë se janë të panevojshme në kohën kur numri i të punësuarve në sektorin e përgjithshëm dhe teknik, si dhe në ansamblin e aktrimit po zvogëlohet”, shkruajnë punonjësit e Teatrit të Shabacit në një kërkesë dërguar themeluesit të teatrit, qytetit të Shabacit, duke theksuar se e gjithë kjo është “një nga përkrahjet e shumta publike për pasojat e drejtpërdrejta të protestave të studentëve”.
Vendimin e kishte marrë menaxherja e dip0lomuar
“Duke qenë se kemi mbështetur publikisht kërkesat e studentëve, puna në produksione është penguar dhe komunikimi mes menaxhmentit dhe punonjësve është bërë i pamjaftueshëm”, sqaruan ata dhe kërkuan nga administrata e qytetit shkarkimin e Aleksandra Deliq, ushtrues detyre e drejtores.
Kjo menaxhere e diplomuar është emëruar ushtrues detyre drejtor i teatrit në shkurt të vitit të kaluar. Ish-gazetarja e RTS Qendra Shabac, Tanjug, “Blic” dhe “Novosti” erdhi në teatër nga pozita e asistentes së drejtorit të NPK “Parking Šabac”, të cilën e mbajti për katër vjet.
Organizatorja e programit Jelena Ivetiq, e cila papritur humbi punën, kujton të “premten e zezë”.
– Erdha në punë dhe gjeta një sistemim të ri në tabelën e shpalljeve, sipas të cilit pozicioni im i punës – organizator i programit – u shpall tepricë teknologjike. Pas një ore mora aktin e shkëputjes së kontratës së punës dhe pagesën e largimit. Dhe më thanë se kjo ishte e tëra.
Edhe Jelena Ivetiq thotë se në Teatrin e Shabacit nuk ka pasur njoftim për ndonjë sistemim të ri të vendeve të punës.
– Nuk më paralajmëruan se do të më pushonin. Për këtë nuk dinte asgjë edhe Këshilli drejtues dhe as sindikata. Unë nuk jam juriste dhe nuk jam e sigurt nëse drejtoresha ime mund të kishte nxjerrë një sistematizim të ri, duke pasur parasysh se ajo është drejtoreshë në cilësinë e ushtrueses së detyrës. Por, edhe sikur të ishte, mendoj se duhet të konsultohej me sindikatën e e teatrit, Këshillin drejtues, Këshillin mbikëqyrës. Përndryshe, të gjithë janë pjesë e teatrit. Më shpallën tepricë pas 16 vitesh punë në Teatrin e Shabacit. Unë kisha kontratë pune në kohë të pacaktuar ndërkaq më pushuan pa asnjë shpjegim të vlefshëm – thotë Jelena.
Kështu që tani ajo vetëm mund të hamendësojë, siç thotë ajo, pse ndodhi e gjithë kjo, sepse askush nuk i tha asgjë. Dhe e pyetur se çfarë po ndodhte në teatër në muajt para shkarkimit të saj, Ivetiq kujton se drejtoresha në detyrë Aleksandra Deliq një herë, krejt papritur, i tha asaj se ajo ishte “askush dhe asgjë dhe se do ta pushonin”:
– Por për këtë do të flasim në gjykatë. Nuk e di vërtet se cilat janë motivet e vërteta të shkarkimit. Rregullorja e re ka shumë gabime, siç më kanë thënë avokatët. Në këtë Rregullore thuhet se qyteti nuk ka para për teatër, gjë që është e vërtetë. Qyteti reduktoi buxhetin e teatrit për këtë vit, ndërsa u shua edhe llogaria e veçantë e Teatrit të Shabacit. Mirëpo, ushtruesi i detyrës e shpjegon ndërprerjen e detyrës sime duke thënë se “nuk ka para”. Por, në të njëjtën Rregullore hap dy vende të reja pune – atë të një dramaturgu dhe një skenografi, pagat e të cilëve do të ishin dy herë më të larta se paga ime si organizatore programesh. Ka diçka që nuk është në rregull nga fillimi i kësaj procedure”, thekson bashkëbiseduesja jonë.
Ivetiq, duke e parë situatën e palakmueshme në Teatrin e Shabacit, jo vetëm tani, por vite më parë, thotë se ata ishin një kolektiv i vogël por me një solidaritet të ndërsjelltë:
Unë nuk di asgjë, më mësoni
– Sikurse me të gjithë drejtorët e mëparshëm, nga Zoran Karajiq, përmes Minja Bogavacit, Aleksandar Stankoviqit, Vladimir Vasiliqit, ne tani jemi përpjekur t’ia shtrijmë dorën e bashkëpunimit edhe Aleksandra Deliqit. Megjithatë, ne dimë më shumë për teatrin. Sapo emërohet një drejtor, Qyteti e shkarkon duke sjellur tjetrin. Nuk ka asnjë mënyrë që të ndërtohej një stabilitet në drejtimin e teatrit. Aleksandra Deliq pati një paraqitje të mirë në fillim, duke na thënë të gjithëve – nuk di asgjë për teatrin, më mësoni. Kjo ishte në rregull me ne. Megjithatë, atëherë ajo filloi të merrte vendime arbitrare që nuk do t’i shpjegonte.
Ivetiq kujton se shumëçka ka ndryshuar që nga fillimi i protestave dhe bllokadave të studentëve. Dhe sidomos kur kolegët e Jelenës, aktorët, ngritën grushtat e kuq në tre raste pas interpretimit të shfaqjeve në Teatrin e Shabacit:
– Drejtoresha fillimisht donte ta ndalonte këtë veprim, por në fund e kuptoi që nuk e bënte dot. Sepse kolegët e mi theksuan se ky është qëndrimi i tyre personal. Pra, ky nuk është qëndrim i Teatrit, por i individëve. Unë kam vite që menaxhoj rrjetet sociale të Teatrit të Shabacit dhe asnjëherë nuk kam abuzuar me to. Unë kurrë nuk kam postuar në internet asgjë në lidhje me politikën apo studentët. Personalisht e kam shprehur qëndrimin tim në profilet e mia – Twitter, Facebook, Instagram – por nuk kam sharë askënd, vetëm e kam mbështetur këtë rini. Dhe gjithçka që ndodh në rrugë. Pas atyre grushteve të përgjakshme, drejtoresha ndryshoi qëndrimin e saj ndaj të gjithëve në teatër. Ajo ishte e zemëruar. Dhe më pas, më 10 shkurt, ajo anuloi premierën e shfaqjes “Nëna e Zonjës kia vdekur”, e planifikuar për të nesërmen, dhe e mbylli teatrin ngase në qendër të qytetit ishte planifikuar dhe mbajtur një protestë në mbështetje të teatrit me slloganin “Ta mbrojmë teatrin e Shabacit”. Ajo e anuloi premierën, dhe në tabelën e njoftimeve të Teatrit të Shabacit u vendos një njoftim ku thuhet se kjo është bërë për arsye organizative dhe teknike – thotë Jelena Ivetiq për Nova.rs.
Lidhur me skëputjen e kontratës së punës së Jelena Ivetiqit, ka lëshuar një deklaratë edhe Shoqata e Artistëve Dramatik të Serbisë, ku thuhet se kërkon që autoritetet – menaxhmenti dhe themeluesit e Teatrit të Shabacit – t’i përmbushin kërkesat e stafit të teatrit sa më shpejt.