Bujanoc, 21. shkurt 2022. Ministri kosovar për kulturë, rini dhe sport i Kosovës Hajrulla Çeku tha sot në Preshevë se “Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të punojë në përmirësimin e bashkëpunimit me Luginën e Preshevës”.
– E konfirmojmë bashkëpunimin që e kemi filluar kohë më parë me takimet në Prishtinë, ndërsa këtë po e konfirmojmë edhe sot. Jam shumë i lumtur që si vazhdimësi e përpjekjeve të Qeverisë për përmirësimin e bashkëpunimit me Luginën e Preshevës, po kontribuojmë edhe në dimensionin e bashkëpunimit kulturor. Kemi diskutuar për çështje të përbashkëta dhe jam shumë i lumtur që jemi përkushtuar që të rrisim mobilitetin kulturor, bashkëpunimin ndërmjet institucioneve në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore- tha Çeku pas takimit me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani, raporton portali prishtinas Kosova Press.
Sinani theksoi se vizitat e ministrave kosovarë janë inkurajuese dhe se kjo tregon interesimin “për të sensibilizuar pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
– Kjo vizitë e Çekut na bëri të ndihemi më krenarë dhe të gjejmë forcën për të vazhduar dhe përparuar të gjitha këto procese. Kultura dhe trashëgimia kulturore janë burim i rezistencës, dhe ne po e ruajmë trashëgiminë dhe kulturën duke i rezistuar diskriminimit të vazhdueshëm të Beogradit zyrtar – tha Sinani.
Ajo shtoi se me ministrin ka biseduar për shpërndarjen dhe shfrytëzimin e mjeteve të ndara nga qeveria e Kosovës për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Në fund të janarit, ministri i Kosovës Liburn Aliu ka vizituar Bujanocin dhe Preshevën, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar këtë zonë e vizitoi edhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.