LIDERËT SHQIPTARË VIZITË NË SHBA: PROBLEMET TONA NË KOMBET E BASHKUARA

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 06 qershor 2022. “Çështja e Luginës së Preshevës tani do të ngrihet në Kombet e Bashkuara”, thuhet në një mesazh nga takimi i përfaqësuesve politikë shqiptarë nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja me Ferit Hoxhën- ambasador i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara (OKB), në Nju Jork.

Për në në selinë e OKB-së kanë udhëtuar Nagip Arifi – Kryetar i komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi – kryetar i Partisë për veprim demokratik (PVD), Ardita Sinani – funksionarja e kësaj partie dhe Ragmi Mustafa – kryetari i Partisë demokratike të shqiptarëve (PDSH).

Javën e kaluar, Shqipëria mori për herë të parë presidencën njëmujore të Këshillit të sigurimit të Kombeve të bashkuara.

Pas takimit me Hoxhën të dielën, Arifi bëri të ditur se e ka informuar ambasadorin për “situatën politike në Luginë dhe problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët në Serbi”.

“Çështja e Luginës së Preshevës tani do të shtrohet në Kombet e bashkuara. Përfshirja e Luginës së Preshevës në organizatën më gjithëpërfshirëse ndërkombëtare është jashtëzakonisht e rëndësishme për zbardhjen e së vërtetës së gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Ardita Sinani, ish-kryetare e Preshevës.

Siç mësojmë, delegacioni nga jugu i Serbisë do të ketë takime edhe me përfaqësues të Administratës amerikane dhe diasporës shqiptare.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *