SHQIPTARËT KËRKOJNË VENDE TË GARANTUARA NË KUVENDIN E SERBISË DHE ASOCIACION TË KOMUNAVE

 

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 21 tetor 2022. Në takimin e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, javën e kaluar në Uashington, me të dërguarin special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, u diskutua për reciprocitetin në të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, konfirmoi kryetari i komunës së Bujanocit Nagip Arifi, një nga anëtarët e delegacionit të pritur nga Escobar. Reciprociteti, për të cilin me pasion avokojnë politikanët shqiptarë në tri komuna në jug të Serbisë, ndër të tjera nënkupton edhe vende të garantuara për shqiptarët në Kuvendin e Serbisë, sipas shembullit të serbëve në parlamentin e Kosovës.

“Nëse ka dhjetë vende të rezervuara për serbët në parlamentin e Kosovës (praktikë e deritanishme në Kosovë), Beogradi duhet të jetë i gatshëm të ofrojë një numër proporcional të vendeve të rezervuara për shqiptarët në parlamentin serb (tani nuk ka asnjë)”, ka shkruar në blogun e tij Daniel Server, ekspert amerikan për Ballkanin, pas takimit me delegacionin shqiptar në SHBA.

Arifi ka konfirmuar të shtunën për portalin Lajmial se ky, por edhe propozimet tjera të Serverit për reciprocitet, kanë qenë temë e takimeve në Departamentin e Shtetit, Kongresin Amerikan dhe Senatin.

ARIFI NGA VASHINGTONI: ESKOBARI NA PREMTOI

– Ajo që mund të them është se këto tema dhe propozime i kemi diskutuar si me profesor Server ashtu edhe me z. Escobar. Ne besojmë në përpjekjet tona dhe mbështetjen e parezervë amerikane – tha Arifi.

Server, në tekstin që ka publikuar në blogun e tij peacefare.net pas takimit me shqiptarët në Uashington, thekson se administrata amerikane preferon termin simetri, në vend të reciprocitetit.

Foto: Delegacioni shqiptar gjatë takimit me Daniel Server

“Vizitorët e mi më thanë se njerëzit në Departamentin e Shtetit preferojnë termin “simetri”. E pranoj që nuk e kuptoj ndryshimin, por çështja është se çfarëdo që të kërkoni nga dikush tjetër, duhet të jeni të përgatitur të jepni diçka të barabartë në këmbim”, shkruan ai.

Sipas tij, reciprociteti duhet të jetë bazë edhe kur është fjala për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

“Ky parim duhet të zbatohet edhe për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që dëshiron ta formojë Beogradi në Kosovë. Ai komunitet nuk duhet të ketë më shumë kompetenca ekzekutive sesa një asociacion i ngjashëm i komuniteteve shqiptare në Serbi”, thotë Server.

Reciprociteti, siç thotë ai, duhet të zbatohet edhe në aspektin e trupave të sigurisë, duke përmendur shembullin e forcave të sigurisë së Kosovës, prania e të cilave në veri të Kosovës është e penguar nga bashkësia ndërkombëtare, gjë që nuk është rasti me ushtrinë serbe në komunat me Shumica shqiptare në Serbi – ndërkohë që do të duhej të ishte, thotë ai.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *