KURTI: KUSHTI PËR FORMIMIN E ASOCIACIONIT TË KOMUNAVE SERBE ËSHTË QË NJË ASOCIACION TË TILLË TA FITOJNË EDHE SHQIPTARËT NË SERBI

Bujanoc, 7 shkurt 2023. Një nga kushtet për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS) në Kosovë është krijimi i një komuniteti të tillë për shqiptarët në jug të Serbisë, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“AKS duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës, dhe të mos jetë monoetnike me emrin ekzistues, dhe me bashkëpunim ekskluzivisht horizontal ndërkomunal, duhet të themelohet edhe në jug të Serbisë për shqiptarët, ndërkohë që në veri duhet të shuhen të gjitha institucionet serbe, t’i dorëzojnë armët, ndërsa do të themelohej pasi që Serbia ta njohë Kosovën, me Kosovën që e njehë Serbinë dhe pasi Vuçiq të tërheqë letrat për vendet anëtare të BE-së kundërKosovës në BE”, ka thënë Kurti, transmeton Kossev.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak, u takua me Kurtin të hënën në Prishtinë për të diskutuar propozimin europian, si dhe përgatitjet për takimin e nivelit të lartë, megjithëse nuk specifikoi se kur do të zhvillohet.
Kurti tha se Prishtina e pranon planin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe se kjo është një bazë e mirë për diskutime dhe progres të mëtejshëm.
“Ne diskutuam gjithçka që është në propozim, diskutuam gjithçka që është në agjendën e dialogut. Por baza e bisedës sonë është propozimi që kam paraqitur më 9 shtator”, tha Lajçak, transmeton KoSSev.
Edhe gjatë kësaj vizite ai tha se gjithçka që është nënshkruar në dialog duhet të zbatohet.
“Ajo që duhet të përsëris edhe një herë është pacta sun servanda, që do të thotë se gjithçka për të cilën është rënë dakord në dialog duhet të zbatohet”. Kështu arrihet normalizimi”, kishte thënë Lajçak.
Në pyetjen e një gazetari nëse kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës për gjashtë kushtet për formimin e AKS-së, të cilat i kishte vendosur Prishtina, ai tha se po, dhe se e kishte njoftuar Kurtin për qëndrimin e BE-së, por pa e publikuar qëndrimin në fjalë.
“Kemi diskutuar për këtë problem dhe kam informuar kryeministrin për qëndrimin tonë. Nuk dua të bëj publike analiza ligjore, mendoj se ishte e dobishme që e diskutuam edhe një herë”, përfundoi ai.
Përveç propozimit evropian, siç tha Lajçak, është biseduar edhe për përgatitjet e takimit në nivelin më të lartë, përkatësisht për takimin e ardhshëm të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
“Ne duam të sigurohemi që të ecim përpara në bazë të këtij propozimi dhe që kur t’i sjellim dy liderët në Bruksel, takimi të jetë konstruktiv”, përfundoi Lajçak.
Nga Prishtina, i dërguari special i BE-së po udhëton për në Beograd, ku do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Albin Kurti thotë se Prishtina e pranon planin europian për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin dhe se kjo është një bazë e mirë për diskutime dhe progres të mëtejshëm. Kurti tha se do t’i bëjë disa pyetje rreth planit gjatë bisedimeve në Bruksel.
“Disa pyetje rreth garancive ndërkombëtare, mekanizmave të zbatimit dhe afateve do të diskutohen së shpejti gjatë bisedimeve në Bruksel.” Konceptet demokratike të orientimit europian na japin shpresë”, ka shkruar Kurti në Twitter pas takimit me Lajçak.
Ai shtoi se procesi i dialogut “për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohje reciproke në qendër” duhet të intensifikohet.
Vizita e re e Lajçakut, e dhjetë që nga shtatori, pasoi në mes të thirrjeve gjithnjë e më të shpeshta nga bashkësia ndërkombëtare për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe dhe për të përfunduar një marrëveshje të bazuar në propozimin franko-gjerman, përkatësisht europian.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *