NGA ARDHJA E ARIFIT NË PUSHTET, MIJËRA EURO TË PARASË SË POPULLIT PËR TELEVIZIONIN E BUJANOCIT

Bujanoc, 23 shkurt 2023. Për shërbimin e monitorimit të aktiviteteve të saja, NP “Komunalia” i paguan Radiotelevizionit Bujanoci 30 mijë dinarë çdo muaj, ka konfirmuar për portalin tonë drejtori i ndërmarrjes komunale Ruzhdi Halili. Sipas informacioneve jozyrtare, bashkëpunimi në mes të kompanive publike dhe private ka gati tre vjet, më saktësisht nga ardhja e Nagip Arifit në krye të komunës, kuadër i të cilit është Ruzhdi Halili, drejtor i Komunalisë.
– Është e vërtetë që kemi kontratë me RTV Bujanocin për të monitoruar aktivitetet tona – tha Halili për Bujanovaçke.
Nëse gjatë kërkimit në në portalin e RTV Bujanoci shkruani “Komunalia”, rezulton se lajmi i fundit në lidhje me këtë kompani është publikuar më 20 dhjetor të vitit të kaluar dhe ka të bëjë me programin e ndihmës së posaçme prej 17 milionë dinarësh.
Megjithatë, një tekst që ka të bëjë drejtpërdrejt me aktivitetin e Komunalisë është publikuar më 7 korrik 2022, ku kjo kompani apelon për konsum racional të ujit të pijshëm.
Prandaj shtrohet pyetja logjike se çfarë paguan Komuna me paratë e qytetarëve të Bujanocit.
“Mendoj se 30 mijë dinarë në muaj është tepër shumë dhe se të shohim nëse do ta zgjasim bashkëpunimin”, tha Halili.
Ai nuk mundi të na thoshte se kur është lidhur kontrata ekzistuese dhe deri kur është e vlefshme, as nuk ka mundur të shpjegojë se çfarë përfitimi kanë qytetarët nga e gjithë kjo.
Jozyrtarisht, Komunalia deri më tani ka paguar të paktën 9 mijë euro për një shërbim inekzistent.
Në kohën kur po financon njëfarë monitorimi të aktiviteteve të saj, NP Komunalia është në probleme financiare, për të cilat Bujanovaçke ka shkruar disa herë.
Televizioni Bujanoci, në pronësi të vranjasit Zoran Veliçkoviq Zuja, nga Komuna e Bujanocit tashmë ka marrë 700,000 dinarë në konkursin e bashkëfinancimit të mediave vitin e kaluar, ndërsa 950,000 dinarë në vitin 2021.
Po ashtu, në mars të vitit 2021, Këshilli Komunal i kryesuar nga Nagip Arifi i ka ndarë këtij televizioni 24.000 dinarë për raportim në çdo seancë të Shtabit të Situatave Emergjente.
Që nga themelimi i saj në vitin 2015, Bujanovaçke, si media lokale, ka raportuar për punën e të gjitha shërbimeve komunale dhe ndërmarrjeve publike pa asnjë kompensim.
Komuna ka paguar RTV Bujanoci edhe për të transmetuar një urim të Vitit të Ri, e cila ka kushtuar 8500 dinarë.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *