MUSTAFI SËRISH NË GJYKATË PËR FLAMURIN, THOTË SE ËSHTË PËRNDJEKJE POLITIKE

Bujanoc, 28. korrik 2023. Ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafi do të përgjigjet sërish para gjykatës për vendosjen e flamurit të Shqipërisë. Siç thotë ai, për të pestën herë, dhe procedurën e ka cilësuar si “përndjekje politike”.

Thirrjen për t’u paraqitur më 21 gusht në Gjykatën për kundërvajtje në Vranje e ka marrë për shkak të vendosjes së flamurit shqiptar më 28 nëntor 2022, në festën kombëtare të shqiptarëve – Ditën e Flamurit.

Mustafi akuzohet për kundërvajtje nga neni 41 paragrafi 1 pika 3 të Ligjit për paraqitjen, përdorimin e stemës, flamurit dhe himnit të Republikës së Serbisë.

Ligji, ndër të tjera, thotë se një person juridik, në këtë rast KKSH, do të gjobitet nga 50.000 deri në 500.000 dinarë për kundërvajtje nëse vendos stemën ose flamurin e një shteti të huaj në Republikën e Serbisë pa e ekspozuar stemën, gjegjësisht flamurin e Republikës së Serbisë, përveç rasteve kur në marrëveshjen e konfirmuar ndërkombëtare nuk është përcaktuar ndryshe.

Si person përgjegjës në KKSH, Mustafi kërcënohet me gjobë prej 5.000 deri në 25.000 dinarë.

– Tani më nuk jam kryetar i KKSH-ës, as punonjës i këtij enti, por edhe sikur të isha një mijë herë në të njëjtën situatë, do të isha i nderuar të bëja të njëjtën gjë, plotësisht i vetëdijshëm, pavarësisht nga pasojat. Nuk do të përdorja marifete ligjore për të shmangur përgjegjësinë, siç bëjnë Arifët në Preshevë dhe Bujanoc. Sepse flamuri kombëtar është identiteti ynë, është historia jonë, është liria jonë në Luginë – thotë Mustafi.

Ai vlerëson se kemi të bëjmë me përndjekje politike në emër të shtetit ligjor.

– Të frikësojnë, censurojnë të gjithë ata që shprehin dhe manifestojnë hapur identitetin e tyre kombëtar ose identitete të tjera. Është presion ndaj diversitetit, është intolerancë ndaj tjetrit. Kjo është një qasje diskriminuese dhe inkriminim i shqiptarëve në Luginë – thotë Mustafi.

Ligji për pakicat kombëtare parashikon gjithashtu se pjesëtarët e pakicave në Serbi mund të përdorin simbolet e tyre, duke përfshirë edhe flamurin, vetëm nëse ato ndryshojnë në një pjesë nga flamuri i vendit amë.

Respektimi i së drejtës për përdorim zyrtar të simboleve kombëtare shqiptare është një nga kërkesat e politikanëve shqiptarë nga jugu i Serbisë në Planin 7-pikësh, i cili u pranua nga Qeveria e Serbisë në vitin 2013., në të cilin thuhet “krahas heqjes së pengesave ligjore ekzistuese”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *