MUSTAFA LIDERË I PARTISË SË KAMBERIT NË BUJANOC

Bujanoc, 22. shtator 2023. – Ragmi Mustafa është kryetar i ri i degës në Bujanoc të Partisë për veprim demokratik, lider i së cilës është Shaip Kamberi, me të cilin kjo parti përfundoi zgjedhjet e brendshme. Mustafa, deri vonë kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, pasoi Dr. Burhan Halilin në krye të partisë më të vjetër që tubon shqiptarët.
Siç ka bërë të ditur Kamberi, nënkryetare e kryesisë është zgjedhur Mimoza Ismaili Mustafa, ndërsa sekretare Shermine Beqiri Beluli. Partia zgjodhi edhe 15 anëtarë të kryesisë.
“Së bashku me udhëheqjen e re do të punojmë me përkushtim për artikulimin dhe zgjidhjen e problemeve në interes të shqiptarëve. Jemi të vendosur që të iniciojmë dhe mobilizojmë shqiptarët e komunës së Bujanocit për t’u përballur me sfidat politike që na presin. I uroj suksese kryesisë së sapozgjedhur”, ka thënë Kamberi.
Kamberi është përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë, kurse PVD-ja është pjesë e të ashtuquajturës shumicë mbarëshqiptare në parlamentin lokal të Bujanocit.



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *