NISMA E TË RINJËVE PËR TË DREJTAT E NJERIUT: NË SERBI U PASIVIZOHEN ADRESAT VETËM SHQIPTARËVE

Bujanoc 24. tetor 2023. – Bazuar në hulumtimet e kryera në terren, në komuna Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, që janë bërë nga korriku deri në shtator të këtij viti ,Hulumtuesit e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi (YIHR), konstatuan se Ministria e Punëve të Brendshme të Serbia pasivizoi adresat e të paktën 4000 shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë, raporton Deutsche Welle (DW).
Të hënën në Beograd, YIHR prezantoi hulumtimin e saj bazuar në dhjetëra intervista me shqiptarë, adresat e të cilëve janë pasivizuar. Në bazë të atyre bisedave, por edhe në qasjen që kishin në aktvendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për pasivizimin e adresave, si dhe në bazë të të dhënave për ndryshimet në listat e votuesve, ata arritën në përfundimin se ndërmjet vitit 2012 dhe 2022, në kundërshtim me Ligjin për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin, i cili kërkon që çdo qytetar i Serbisë të ketë të drejtën e një adrese, MPB i pasivizoi adresat e të paktën 4000 shqiptarëve.
“Pasivizimi u ndodh vetëm pjesëtarëve të kombësisë shqiptare. Është e qartë se është një instrument politik që përdoret për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë”, tha autori kryesor i raportit dhe hulumtuesi i YIHR, Marko Milosavleviq, në prezantimin e publikimit “Pasivimi i adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si praktikë diskriminuese”.
“Pasivizimi është selektiv dhe ka për qëllim vetëm shqiptarët në jug të Serbisë. Bashkëbiseduesit tanë kanë ardhur në këtë përfundim edhe për shkak se minoritetet e tjera apo serbët nga mjedisi i tyre nuk ballafaqohen me këtë problem”, thotë YIHR.
Qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës u kanë thënë hulumtuesve të YIHR-së se adresat e tyre janë pasivizuar, por askush më parë nuk i kishte njoftuar për këtë. Më së shumti e kanë marrë vesh kur kanë shkuar në MPB për të rinovuar apo për të paraqitur kërkesë për dokumente të reja. Më pas punonjësit e policisë i njoftonin gojarisht se nuk mund të merrnin dokumentet pasi nuk kishin adresë të regjistruar.
“Duke qenë se nuk marrin aktvendim me shkrim për pasivizim, nuk mund të bëjnë ankesë. Zakonisht policia i këshillon të qëndrojnë në shtëpi për muajt e ardhshëm, në mënyrë që policia të kontrollojë sërish nëse jetojnë në atë adresë. Disa prej tyre qëndruan disa muaj në atë adresë, nuk udhëtonin askund, shpesh nuk lanë as fshatrat e tyre. Gjatë asaj periudhe policia ose paraqitet disa herë, ose nuk paraqitet fare. Megjithatë, rezultati është gjithmonë i njëjtë – për të gjithë ata qytetarë, adresat mbeten të pasivizuara”, tha etnologu dhe bashkautori i raportit, Millosh Rashiq.
Disa nga ata që kanë mbetur pa adresë kanë inicuar kontest në Gjykatën Administrative. “Kjo procedurë mund të zgjasë deri në dy vjet prandaj për këtë shkak qytetarët heqin dorë nga ajo dhe mbeten me adresa të pasivuara”, thotë YIHR.
Sipas Ligjit për Vendbanimin dhe Vendqëndrimin e Qytetarëve, policia mund të kontrollojë nëse dikush jeton në adresën e regjistruar vetëm nëse paraprakisht ka marrë kërkesë për këtë nga gjykata, organizata të ndryshme, persona juridikë apo persona fizikë.
“Nëse konstatohet se dikush nuk banon në adresën e regjistruar, MPB-ja nxjerr aktvendim për pasivizim, ndërsa qytetari ka të drejtë të bëjë ankesë brenda tetë ditëve. Pra, të kërkojë që policia të kontrollojë sërish nëse ai ndodhet në atë adresë. Nëse qytetari vet nuk lajmëron vendbanimin, policia i cakton një adresë të re – p.sh. adresa e bashkëshortit, prindërve etj. Nëse qytetarët parashtrojnë ankesë për këtë, policia është e detyruar të rivendosë vendbanimin e përkohshëm në adresën e regjistruar”, ka shpjeguar Rashiq.
Ata që nuk kanë një adresë të regjistruar janë të privuar nga pothuajse të gjitha të drejtat: nuk mund të marrin kartë identiteti, të punësohen, të martohen, të kenë mbrojtje shëndetësore dhe sociale apo të drejtën e votës. Ata as nuk mund të lëvizin lirshëm, thekson YIHR.
Një nga paradokset më të mëdha është se disa nga personat e intervistuar nga studiuesit e Nismës Rinore nuk kanë zyrtarisht një adresë, edhe pse kanë prona apo pasuri të paluajtshme dhe kanë dëshmi se paguajnë rregullisht taksa dhe detyrime të tjera.
“Gjëja më e tmerrshme është se këta njerëz nuk e kanë idenë se kur dhe nëse adresat e tyre do të ricaktohen”, thotë Milosavleviq.
Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut ka kërkuar të dhëna nga autoritetet policore për numrin e qytetarëve të pasivuar për të gjitha komunat në Serbi, nga viti 2012 deri në qershor 2023, por MPB-ja, megjithatë, nuk u ka ofruar atyre të dhëna për komunën e Medvegjës për periudhën prej 2020 deri më 1 qershor në 2023. YIHR ka arritur numrin prej 4174 qytetarëve të pasivuar, në bazë të të dhënave që kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi i ka marrë nga Drejtoria e Policisë së Leskovcit.
Pasivizimi i adresave rezulton me fshirjen e shqiptarëve nga listat e votuesve në jug të Serbisë. Nisma rinore kujton të dhënat e Shoqatës Evropiane të Organizatave Monitoruese të Zgjedhjeve nga viti 2022, se në atë vit në Luginën e Preshevës janë fshirë nga listat e votuesve rreth 6000 shqiptarë.
“Bashkëbiseduesit tanë nga Lugina e Preshevës theksojnë se problemi më i madh është qëllimi politik, përkatësisht ndryshimi i strukturës demografike të komunave të caktuara, targetimi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë dhe fshirja e shqiptarëve nga këto treva – në një kuptim të heshtur“, përfundon Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *