AKTIVIZOHET APLIKACIONI “MË GJENI” PËR TË GJETUR FËMIJËT E ZHDUKUR, JA SE SI FUNKSIONON

Bujanoc 25. tetor 2023. – Në Serbi ka filluar të funksionojë sistemi për njoftim urgjent të publikut për fëmijët e zhdukur i quajtur “Më gjeni”. Nëse sistemi aktivizohet, do të informoheni me mesazh SMS për zhdukjen e të miturve, ndërprerje të transmetimeve televizive dhe radiofonike, semaforët në autostradë, aeroport, stacione autobusësh dhe trenash. Ky sistem do të ndihmojë në zgjidhjen më të shpejtë të rasteve të fëmijëve të humbur, ku çdo minutë është e çmuar.
Sistemi u lançua sot nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili tha se jeta e çdo fëmije është pakrahasueshme më e rëndësishme se çdo gjë tjetër.
Themeluesi i Fondacionit “Tijana Juriq” dhe drejtori i Qendrës për Fëmijët e Zhdukur dhe të Abuzuar, Igor Juriq, tha se Serbia është vendi i parë në rajon që ka futur sistemin “Më gjeni”.
Juriq, i cili është edhe iniciator i lansimit të këtij sistemi, theksoi se i ka një borxh të madh Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilët e kuptuan rëndësinë e këtij sistemi në gjetjen e fëmijëve dhe sigurinë e tyre.
“Ne jemi këtu për tetë vjet, për herë të tetë, dhe çdo herë diskutojmë tema që janë të rëndësishme për sigurinë e fëmijëve tanë. Është ndryshuar Kodi Penal, ka ndryshime edhe në Ligjin për Policinë, ka ardhur një sistem i rëndësishëm. Për herë të parë në rajon, asnjë vend nuk ka një sistem të tillë në rajon dhe nuk do ta ketë së shpejti, për fat të keq”, tha Juriq në hapjen e Konferencës për Sigurinë dhe Përgjegjësinë e Fëmijëve.
Siç u raportua më parë nga mediat, policia do të vendosë për aktivizimin e sistemit në bazë të vlerësimit të saj, kur të marrë një denoncim, përveç rasteve kur ai aktivizohet automatikisht – nëse një fëmijë i cili është në rrezik jete, fëmijët me aftësi të kufizuara deri në 18 vjeç dhe nën shtatë vjeç.
Në njoftim do të përfshihet edhe media, e cila do të ndërpresë transmetimin e programit të rregullt, me foton e fëmijës së zhdukur dhe informacione si vendi ku është parë për herë të fundit.
Operatorët celularë do t’i dërgojnë gjithashtu këto mesazhe përdoruesve të tyre.
Mesazhe do të transmetohen edhe nga “Rrugët e Serbisë”, Aeroporti “Nikola Tesla”, stacionet e autobusëve dhe trenave.
Është paraparë edhe faza e dytë, e cila përfshin një rreth më të gjerë informacioni si qendrat tregtare dhe rrjetet sociale.
Sistemi, i cili funksionon globalisht me emrin Amber alert, ka marrë emrin e vajzës nëntë vjeçare nga Teksasi, Amber Hagerman, e cila u rrëmbye dhe u vra.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *