ANALISTI NGA KOSOVA: EDHE VUÇIQ EDHE KURTI JANË PËR VAZHDIMIN E “STATUS QUO”-s

Bujanoc, 22 korrik 2021.  Sipas analistit kosovar Bekim Çollaku, si Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po ashtu edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë duke u angazhuar për vazhdimin e “status quo” -s në çështjen e Kosovës.

Ky, thotë ai, është një tregues i mungesës së vullnetit të tyre për t’u përballur me rezultatin përfundimtar të dialogut.

-Për fat të keq, të paktën në periudhën afatshkurtër, nuk ka asnjë mundësi reale për arritjen e një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Bazuar në dinamikën aktuale të dialogut dhe mungesës së rezultateve nga dy raundet e takimeve, duket se Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiq janë të interesuar vetëm në ruajtjen e “status quo”-s ekzistuese,” tha Çollaku për Kosovo online.

Negociatat e Brukselit po përdoren si një lloj mjeti për të mbledhur poena politikë përpara zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë dhe Serbi, shton Çollaku, i cili ishte këshilltar politik i ish-Presidentit Hashim Thaçi.

– Me pjesëmarrjen e tyre formale në procesin e dialogut, ata kënaqin BE-në, ndërsa në vendet e tyre ata vazhdojnë me qëndrime populliste. Përveç kësaj, status quo-ja është e favorizuar dhe përkon me kalendarin zgjedhor në Kosovë dhe Serbi – thotë Çollaku.

Sipas vlerësimit të tij, Bashkimi Evropian nuk po tregon interesim të madhë për të arritur një marrëveshje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, sepse po mjaftohet me vazhdimin e procesit të dialogut, duke e konsideruar si sukses të vetin.

– BE, si ndërmjetës, nuk është i gatshëm të ushtrojë presion mbi palën tjetër dhe as të sigurojë ndonjë mbështetje në këtë fazë. Prandaj, suksesi kryesor për këtë vit mund të konsiderohet vazhdimi i dialogut në vetvete, por asgjë më shumë se kaq – përfundon Çollaku.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *