KAMBERI NË KUVEND: PËR SHQIPTARËT NUK KA VEND AS NË GJYKATAT NË PRESHEVË DHE BUJANOC

Bujanoc 15 dhjetor 2021. – Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, thotë se shqiptarëve po u mohohet e drejta e punësimit në sistemin gjyqësor serb.

Në seancën e Kuvendit të Serbisë të mbajtur të martën, Kamberi pyeti ministren e drejtësisë, Maja Popoviq, se kur do të mund të punojnë shqiptarët në Gjykatën për Kundërvajtje të Preshevës, në Gjykatën Themelore të Bujanocit dhe në Prokurorinë Themelore të Vranjës, e cila mbulon edhe territorin e Gjykatës Themelore të Bujanocit, duke u thirrur në nenin 77 paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës së Serbisë.

– Më 14 tetor Këshilli i Lartë Gjyqësor dha pëlqimin për propozimin e kandidatit që për herë të parë zgjidhet gjyqtar në Gjykatën për Kundërvajtje në Preshevë. Me këtë vendim për gjyqtar është propozuar kandidati Igor Nikoliq, bashkëpunëtor i pavarur i Shërbimit të Kadastrit nga Vranja. Nuk do të kishte asgjë të pazakontë në këtë vendim nëse në mesin e kandidatëve që aplikuan për të njëjtin pozicion nuk do të kishte kandidatë të përkatësisë shqiptare të cilët kanë dhënë provimin e jurisprudencës apo të diplomuar në Akademinë e Gjyqësorit dhe po të mos ishte fakti se kjo Gjykata për Kundërvajtje ka të bëjë me komunën me mbi 90 për qind popullsi shqiptare – tha Kamberi.
Ai përkujtoi se Kushtetuta e Republikës së Serbisë, paragrafi 2 i nenit 77, garanton të drejtën e pakicave për “përfaqësim adekuat në institucionet shtetërore dhe publike”.

“Një politikë e tillë e punësimit në sistemin gjyqësor, e cila ua mohon shqiptarëve të drejtën për integrim, nuk është as në frymën e nenit 77 të Kushtetutës së Serbisë dhe as në frymën e rekomandimeve të Komisionerit të Lartë të OSBE-së”, tha Kamberi.

Ai përfundoi se besueshmëria e institucioneve varet nga besimi që qytetarët kanë në ato institucione, ndërsa besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore në mjediset multietnike, mbi të gjitha varet nga angazhimi i përfaqësuesve të pakicave kombëtare në ato institucione.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *