KURTI: REZULTATI I DOBËT NË ZGJEDHJET PARLAMENTARE NË SERBI PASOJË E MOSUNITETIT TË PARTIVE SHQIPTARE

Bujanoc, 11 prill 2022. (Foto nga kabineti i Kurtit) – Dështimi i zgjedhjeve parlamentare të 3 prillit është rezultat i përçarjes së partive shqiptare, tha kryeministri i Kosovës Albin Kurti të hënën në Prishtinë, në një takim me përfaqësuesit politikë shqiptarë nga Bujanoci, Presheva dhe Medvegja. Kurti ka thënë gjithashtu se është kundër shkarkimit të paralajmëruar të kryetares së Preshevës, Ardita Sinani.

Mungesa e unitetit dhe e koordinimit të partive politike shqiptare në këtë front ishte një tjetër faktor i dëmshëm për rezultatet e zgjedhjeve – tha Kurti, thuhet në njoftimin e kabinetit të tij.

Shqiptarët dolën në votime me dy lista, asnjëra prej të cilave nuk ka vota të mjaftueshme për një mandat deputeti.

Kurti vlerësoi gjithashtu se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe demokratike.

– Një padrejtësi e madhe iu bë shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc duke pasivuar mbi 6000 adresa të vendbanimit në këto komuna. Ky është një spastrim etnik i qetë me pasoja të mëdha. Kjo metodë e Serbisë, për të mohuar të drejtën themelore dhe demokratike të votës, pati për pasojë rezultatin e pavolitshëm – tha Kurti.

Në deklaratë thuhet se liderët e Alternativës për Ndryshim dhe Lëvizjes Reformuese, Shqiprim Arifi dhe Sami Salihi, të cilët sot pritet të marrin pushtetin lokal në Preshevë, nuk kanë marrë pjesë në takim edhe pse ishin të ftuar.

Kurti ka deklaruar se është kundër shkarkimit të paralajmëruar të kryetares aktuale të komunës së Preshevës, Ardita Sinani.

– Krahas shtypjes dhe diskriminimit ndaj shqiptarëve, nuk duhet të përkrahen përpjekjet për përkeqësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve, përfshirë edhe synimin për shkarkimin e kryetares së Preshevës. Ndarjet janë të gabuara dhe të dëmshme”, tha Kurti.

Në takim morën pjesë ndër të tjera kryetarja e Preshevës Ardita Sinani, kryetari i Bujanocit Nagip Arifi, kryetari i Partisë për Veprim Demokratik Shaip Kamberi, Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve Ragmi Mustafa.

Kurti sërish prej tyre ka kërkuar unitet politik.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *