Bujanoc, 14 prill 2022. Në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për respektimin e të drejtave të njeriut në Serbi, thuhet se shqiptarët janë të diskriminuar, nuk janë të përfaqësuar proporcionalisht në punësim dhe një nga temat është pasivizimi i vendbanimit.
“Është pasivizuar vendbanimi i shumë shqiptarëve në tri komuna në Serbinë jugore, duke rezultuar në humbjen e të drejtës për nxjerrjen e dokumenteve personale, duke i privuar ata nga shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale,” thuhet në raportin e postuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit për politikën e jashtme.
Sa i përket punësimit dhe integrimit, theksohet se liderët e shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, bashkë me boshnjakët në Sanxhak, janë ankuar për mungesën e përfaqësimit në institucionet shtetërore në nivel lokal.
Fjala vjen, dialogu ndërmjet Qeverisë së Serbisë dhe përfaqësuesve të shqiptarëve filloi në fillim të marsit në Bujanoc, plani dhe afatet u dakorduan në takimin e parë, ndërsa grupi punues për integrimin e shqiptarëve u formua dy ditë më parë.
Një shembull i gjuhës së urrejtjes nga politikanët dhe zyrtarët shtetërorë është rasti i ministrit të Brendshëm, Aleksandar Vulin, i cili thuhet se “vazhdon të përdorë në publik terma fyese për shqiptarët “.
Në rubrikën për arsimin theksohet se nuk ka tekste në gjuhën shqipe për nxënësit e shkollave të mesme.
Kryetari i Këshillit kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), Ragmi Mustafa, krahas me publikimin e raportit vlerësoi se “ky raport është një nxitje e madhe për Këshillin kombëtar”.
– Temat të cilat KKSH i thekson dhe i trajton janë pjesë e këtij raporti shumë të rëndësishëm për Luginën e Preshevës dhe dëshmi e përpjekjeve tona të vazhdueshme dhe konstante – thotë Mustafa.