KOMUNA DHE BE BLEJNË SHTËPI NË FSHATRAT E BUJANOCIT PËR TË ZHVENDOSURIT

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 13. shkurt 2023. (Foto ilustrim) – Për familjet rome të shpërngulura nga Kosova, të cilat nga viti 1999 janë vendosur në qendrën kolektive “Salvatore” në Bujanoc, përveç ndërtimit të banesave sociale, Komuna do të blejë edhe shtëpi në fshatrat e Bujanocit. Siç mësuam në Kabinetin e kryetarit, janë paraparë 18 deri në 20 mijë dollarë për shtëpi ndërkohë do të bëhet ftesë publike për ata që duan të shesin.

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime Projektuese (UNOPS), e cila zbaton projektin e BE-së për Mbështetje për Banim Social dhe Përfshirje Aktive, konfirmoi për portalin tonë se plani është që të blihen dhjetë shtëpi në fshatrat përreth Bujanocit, ndërkaq detajet për portalin Bujanovaçke i ka bërë të ditur shefi i kabinetit të kryetarit të komunës së Bujanocit, Sali Salihi, i cili është përgjegjës për realizimin e projektit në Bujanoc.

– Në qendrën “Salvatore” kemi 19 familje rome, 12 prej të cilave do të marrin apartamente, ndërtimi i të cilave do të fillojë pas përfundimit të tenderit për kontraktorin ndërsa do të blihen shtëpi në fshatra edhe për shtatë familje. Na është miratuar blerja e shtëpive edhe për tre familje të rrezikuara sociale në komunë, të cilat do t’i përcaktojmë sipas kritereve të parapara. Pra, gjithsej 10 shtëpi – thotë Salihi.

Ai ka theksuar se plani është që të blihen shtëpi në fshatrat më afër Bujanocit.

-Në atë pjesë do të përcaktohen qartë kriteret në ftesën publike, pra çfarë kushtesh duhet të plotësojë shtëpia e ofruar, është e qartë se nuk do të blejmë objekte të rrënuara që nuk i plotësojnë kushtet elementare për jetë – thotë. Salihi.

Sipas vlerësimeve të tij, gjithçka që lidhet me zbatimin e projektit të BE-së Mbështetja për Strehimin Social dhe Përfshirjen Aktive, pra ndërtimi i apartamenteve dhe blerja e banesave, do të përfundojë deri në fund të vitit.

Bujanovaçke më herët ka njoftuar se tenderi në vlerë prej 48.7 milionë dinarë për kontraktuesin për ndërtimin e banesave sociale në rrugën Jaqim Gjoshiq tashmë është shpallur dhe do të jetë i hapur deri më 3 mars.

FILLON NDËRTIMI I BANESAVE PËR ROMËT E SHPËRNGULUR NGA KOSOVA




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *