SALVATORE: 80 ROMË DHE 1 SERB BRAKTISIN FERRIN, DISA SHQIPTARË KUNDËR

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 15 shkurt 2023. Ferri i qendrës kolektive të Bujanocit për refugjatët nga Kosova, “Salvatore”, më në fund, këtë vit do ta braktisin pak më shumë se 80 romë dhe një serb të cilët për 24 vjet jetojnë në kushte të padenja për njeriun, që nga lufta në Kosovë dhe bombardimet e NATO. Mirëpo, këtë e kundërshtojnë disa parti dhe individ shqiptarë. Me paratë e Bashkimit Evropian do të ndërtohen 12 banesa në Bujanoc dhe 7 shtëpi do të blihen në fshatrat e Bujanocit. “Turp për të gjithë ata që kanë diçka kundër”, kanë thënë të pakënaqurit nga qendra me të cilët ka folur sot gazetari i Bujanovaçkes.
Ndërsa ka kundërshtarë, mesin e shqiptarëve. Ata thonë se ndërtimi i banesave do të ndryshojë strukturën etnike në Bujanoc – në dëm të shqiptarëve.

Megjithatë, nuk ka shpjegim se si 12 banesa dhe 7 shtëpi për romët që kanë jetuar më shumë se dy dekada në Bujanoc, do t’i rrezikojnë shqiptarët dhe do të ndryshojnë papritmas strukturën e popullsisë në komunë.

Këshilltarët e Alternativës për Ndryshim u larguan nga shumica qeverisëse në Bujanoc në vitin 2021 për shkak të këtyre banesave, gjegjësisht përcaktimit të lokacionit për ndërtim.

Përveç shqetësimit për gjoja çregullimin e strukturës etnike, kanë thënë edhe se ato banesa do të jenë shpërblim për ndonjë vrasës ose dhunues të grave kosovare.
– Çfarë vrasës, çfarë përdhunues, 24 vjet kemi jetojmë këtu pranë serbëve dhe shqiptarëve. Ne kemi ikur nga lufta, turp të flitet kështu, sikur bujanocasit nuk na njohin, çfarë vrasjesh, çfarë dhunimesh – tha i indinjuar një nga romët e qendrës, që donte të mbetej anonim.

Edhe të tjerët gjithashtu kërkuan anonimitetin – për të mos ngjallur mëri te të tjerët, siç thonë ata.


“Shtëpitë” e tyre ndodhen pikërisht pranë oborrit të Shkollës së mesme “Sezai Suroi” ndërsa një pjesë e këtij kampi zë edhe hapësirën e ish-Shkollës Teknike.

-Katër familje kanë më shumë se nga 5 anëtarë, në timen jemi shtatë, gruaja, tre fëmijë dhe nëna e babai. Prindërit e mi janë të sëmurë dhe të palëvizshëm, edhe gruaja ime nuk është mirë. Na pyetën në mbledhjen e vitit të kaluar nëse donim shtëpi apo banesë, unë thashë banesë. Nuk besoj se do të jenë të mëdha, nuk e di se si do të futemi ne të shtatë në një banesë të vogël, por do të jetë më mirë se kjo shupë që kemi tani – thotë bashkëbiseduesi ynë.


Siç thotë, ai iku nga lufta me familjen para bombardimeve të NATO-s, në vitin 1998.

Ai dhe bashkëkombasit e tij në qendër janë të gjithë nga Gjilani dhe rrethina, vetëm një serb është nga Vitia.

Suadi dhe Ezeli, djem 15 dhe 9 vjeç, të lindur dhe rritur në Bujanoc, na shoqëruan nëpër kamp.

– Unë jetoj këtu me familjen time ndërkaq mos shko atje, ka një banjë, por nuk është mirë të shkosh atje, është katastrofë – tregon me gisht korridorin e errët.


Suadi shkon në gjimnazin “Sezai Suroi”, me bashkëmoshatarët e tij shqiptarë, thotë se është mirë, “shkolla është shumë afër”.

Na treguan edhe vendin ku do të ndërtohen banesat, rreth 200 metra larg kampit, në rrugën Jaqim Gjoshiq, afër objektit ku u vendosën refugjatë të tjerë nga Kosova në vitin 2014, si dhe raste sociale nga Bujanoci, mes tyre edhe shqiptarë.

– Nuk kam çfarë të pres që të ndërtojnë pallatin, andaj kur më kanë pyetur jam përcaktuar për shtëpi. Nuk na thanë se shtëpia do të jetë në fshat, po mendoja në Bujanoc apo diku në Serbi. Kam frikë se si do të na presin atje, nuk mendoj se do të jetë mirë, njerëzit nuk na njohin dhe ju e dini se opinionin e shumicës për romët. Do të ishte më mirë që shtëpitë të ishin në Bujanoc, këtu është ndryshe, njihemi – thotë një nga “klientët” e kampit.

-Çdo ditë marrim bukë, dhe dy herë në javë një vakt të gatuar ose ushqim të konservuar. Më herët kemi marrë edhe pako higjienike. Është një ndihmë për ne. Ne ia dalim, punojmë privatisht, ndaj bëmë këto ndërtime shtesë në këto kasolle. Disa jetojnë shumë keq, disa më pak, por është e vështirë për të gjithë. Kur të ketë banesa dhe shtëpi, do të jetë më mirë, nuk mund të bëhet më keq se kjo – thotë bashkëbiseduesi.

Bujanovaçke tashmë ka shkruar se tenderi për kontraktuesin për ndërtimin e objektit me 12 banesa, në vlerë prej 48.7 milionë dinarë, tashmë është shpallur dhe do të hapet deri më 3 mars.

FILLON NDËRTIMI I BANESAVE PËR ROMËT E SHPËRNGULUR NGA KOSOVA


18.000 deri në 20.000 dollarë do të ndahen për blerjen e shtatë shtëpive për romët nga Kosova dhe tri të tjera për familjet më të rrezikuara sociale nga komuna, ka konfirmuar për portalin tonë shefi i zyrës së kryetarit të komunës, Sali Salihi.

KOMUNA DHE BE BLEJNË SHTËPI NË FSHATRAT E BUJANOCIT PËR TË ZHVENDOSURIT

Ai është përgjegjës për realizimin e projektit të Bashkimit Evropian përmes Programit “Përkrahja e Bashkimit Evropian për banim social dhe përfshirje aktive” në komunën e Bujanocit.

Ai pret që gjithçka të përfundojë deri në fund të vitit.

Nënkryetari i Alternativës për Ndryshim dhe kryetar i këshillit lokal të kësaj partie në Bujanoc, Arbër Pajaziti, ka thënë për portalin tonë se kjo parti do të deklarohet përmes një kumtese lidhur me fillimin e ndërtimit të këtyre banesave.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *