Bujanoc, 2 tetor 2023. Çmimi i romingut midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është ulur zyrtarisht, ka njoftuar Këshilli për Bashkëpunim Rajonal (RCC). Çmimi për 1GB në roming nga tetori nuk duhet të kalojë 18 euro, raporton N1. Tre operatorët telekomunikacioni nga Serbia kanë ulur çmimin e 1 GB brenda disa nga pakot e tyre të romingut në vendet e BE-së deri në 83,2 përqind. Çmimet tani variojnë midis 0,67 dhe 8,5 euro për një GB brenda pakove të romingut në BE për përdoruesit nga Serbia, që është shumë më poshtë se kufiri i përcaktuar maksimal i çmimeve.
Në shumë raste, kufizimi i çmimeve prej 18 eurosh brenda ofertave të veçanta dhe pakove shkon edhe më poshtë, deri në 1,6 euro për 1 GB, ndërsa tre operatorët nga Ballkani Perëndimor, përveç çmimeve brenda pakove, kanë ulur edhe çmimet e rregullta të shërbimeve shtesë.
Sekretarja e Përgjithshme e RCC-së, Majlinda Bregu, ka thënë se suksesi i Deklaratës mbi romingun midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dëshmon fuqinë e bashkëpunimit rajonal, që ndryshon komunikimin për më mirë, madje edhe përballet me sfida të ndërlikuara.
“Ky moment vjen në një kohë të tensioneve politike, trazirave ekonomike dhe një spektri gjithnjë e më të gjerë të ndryshimeve klimatike në rajon, duke theksuar kështu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe euro-atlantik”, ka theksuar Bregu.