NGA NESËR ME GOMA TË DIMRIT NË AUTOMJETE

Bujanoc 31. tetor 2023. Agjencia për Siguri në Komunikacion ua rikujton drejtuesve të mjeteve detyrimin ligjor që automjeti duhet të ketë goma dimërore në periudhën nga 1 nëntori deri më 1 prill, nëse në rrugë ka borë, akull apo ngrica, por edhe se gomat e dimrit rekomandohen edhe kur rruga është e thatë, nëse temperaturat janë më të ulëta se shtatë gradë.

Agjencia bën me dije se në këto temperatura, gomat e verës humbin karakteristikën e tyre më të rëndësishme – përngjitjen e mirë, ndërsa distanca e tyre e ndalimit gjatë frenimit është deri në dyfishin e gjurmës së zakonshme që lënë gomat e dimrit.

Përveç kësaj, në gomat për përdorim dimëror, thellësia e shtresës shkelëse (modeli i gomave) duhet të jetë së paku 4 mm. Modelet e gomave për përdorim dimëror janë krijuar për të parandaluar mbajtjen e borës dhe shfaqjen e “aquaplaning”.

Thellësia më e madhe e kanaleve në gomat e dimrit është arsyeja kryesore pse edhe gomat më të lira të dimrit kanë kapje katër herë më të mirë se gomat e verës, thonë nga Agnesia dhe kujtojnë se gjatë periudhës së ndërrimit të gomave, është e nevojshme të ndërrohen gomat në të katër rrotat.

Gomat më të vjetra se pesë vjet duhet të kontrollohen në detaje një herë në vit, d.m.th. është më mirë kur ndërrohen rregullisht nga gomat verore në ato dimërore dhe anasjelltas.

Jashtë zonave të banuara, në bagazh është e detyrueshme të ketë zinxhirë ose mjete të tjera për të rritur tërheqjen, dhe kur ka borë në rrugë, në rrotat lëvizëse vendosen zinxhirë në ato rrugë ku shënohet përdorimi i detyrueshëm. Në zonat e banuara, automjetet nuk kanë nevojë të pajisen me zinxhirë. Një lopatë bore është e detyrueshme në pajisjet dimërore të autobusëve dhe kamionëve.

Sipas Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, shoferi është i obliguar të ketë pajisje dimërore dhe t’i përdorë ato në mënyrën e përcaktuar gjatë vozitjes në rrugë, në të kundërtën parashihet gjobë. ASK u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të përshtatin drejtimin e tyre me trafikun dhe kushtet rrugore dhe të kenë kujdes gjatë drejtimit të automjetit, veçanërisht në kushtet e dimrit.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *