DIPLOMAT UNIVERSITARE MË SHUMË KANË VLERË NË VERI SE NË JUG TË SERBISË

Bujanoc, 22. prill 2024. (Foto nga arikivi) – Për punëtorët me të njëjtat kualifikime, përkatësisht në arsim, paga mesatare në jug dhe lindje të Serbisë është dukshëm më e ulët se në veri të vendit. Kështu, ata me studime bazë akademike në Beograd marrin rreth 140 mijë dinarë, ndërsa paga mesatare me diplomë universitare në jug të vendit është 89 mijë dinarë.
Profesoresha Natasha Goluboviq nga Fakulteti Ekonomik në Nish thotë për Južne vesti se rajonet më pak të zhvilluara kanë paga më të ulëta dhe se në jug, investimet janë të orientuara drejt degëve intensive të punës, ku pagat janë mesatarisht më të ulëta.
Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Republikan i Statistikave, për të ardhurat e të punësuarve sipas aktivitetit, nivelit të kualifikimit dhe gjinisë, të cilat i referohen shtatorit 2023, ka një dallim evident midis rajonit të Beogradit, Vojvodinës karshi rajoneve në jug dhe lindje të Serbisë.
Diferenca rritet me rritjen e nivelit të arsimimit. Krahasuar me veriun e vendit diferenca në paga mes të punësuarve me shkollë fillore ose të mesme trevjeçare në jug ka një diferencë deri në 4000 dinarë, ata me arsim të mesëm katërvjeçar paguhen rreth 20000 më pak, krahasuar me veriun e Serbisë.
Të punësuarit në jug dhe lindje, të cilët kanë arsim të mesëm katërvjeçar, në shtator të vitit të kaluar kishin pagën mesatare prej 68.268 dinarë, ndërsa ata me të njëjtin arsim, që jetojnë në Vojvodinë, kishin mesatarisht 89.261 dinarë, ndërsa në Beograd 82.256 dinarë.
Dallimi është edhe më i madh mes atyre që kanë si nivel kualifikimi studimet bazë akademike apo profesionale. Në jug, ata paguheshin mesatarisht pak më shumë se 89.626 dinarë, në Vojvodinë 103.275 dinarë ndërsa në rajonin e Beogradit 140.070 dinarë.
Kur bëhet fjalë për punëtorët që kanë përfunduar studimet master apo doktoraturë, ata paguhen më së shumti në Beograd – 158,655 dinarë, që ishte paga mesatare në shtator 2023, ndërsa në Vojvodinë mesatarja është 117,051 dinarë, e në jug dhe lindje – 99,463. dinarë.
Profesoresha Natasha Goluboviq nga Fakulteti Ekonomik i Nishit shpjegon se dallimet në të ardhurat për të njëjtin nivel kualifikimi dhe të njëjtin lloj pune në rajone të ndryshme të të njëjtit shtet janë të pranishme në shumë vende, përfshirë edhe Serbinë. Ajo vëren se dallimet në paga janë pasojë e dallimit në nivelin e zhvillimit ekonomik.
-Pagat mesatare në rajonet më të zhvilluara janë më të larta se në rajonet më pak të zhvilluara. Në Serbi u dalluan qartë dy rajone të zhvilluara – rajoni i Beogradit dhe rajoni i Vojvodinës, si dhe dy rajone që kanë mbetur prapa në zhvillimin ekonomik – rajoni i Shumadisë dhe Serbia perëndimore dhe rajoni i Serbisë jugore dhe lindore – thekson Goluboviq.
Aj shpjegon se numri më i madh i vendeve të punës, investimeve dhe prodhimit janë të përqendruara në qendrat e mëdha urbane, si Beogradi dhe Novi Sadi, gjë që kontribuon në migrimin e popullsisë.
Profesoresha e Fakultetit Ekonomik të Nishit sqaron gjithashtu se zonat më pak të zhvilluara karakterizohen nga papunësia e lartë, infrastruktura joadekuate, varfërimi demografik dhe një strukturë e pafavorshme arsimore e popullsisë, kështu që ka pak interes të investitorëve të huaj dhe vendas për të investuar në këto zona.
– Më shumë se gjysma e investimeve të huaja direkte shkojnë në rajonin e Beogradit, pak më pak në rajonin e Vojvodinës, ndërsa rajoni i Serbisë Jugore dhe Lindore tërheq më pak se 10 për qind të investimeve. Jo vetëm niveli i investimeve të huaja në rajonet e pazhvilluara është më i ulët, por edhe struktura e investimeve është e tillë që investimet të orientohen drejt degëve intensive të punës, ku pagat janë mesatarisht më të ulëta. Shumica e atyre investimeve janë bërë me subvencione shtetërore, kështu që me mbarimin e subvencioneve investitorët shpesh i mbyllnin fabrikat e tyre – thekson ajo.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *