VUÇIQ IA OFRON ITALIANËVE PËR INVESTIME VRANJËN, NUK E PËRMEND BUJANOCIN

Bujanoc 24. tetor 2023. – Në hapjen e fabrikës Aunda sot në Leskovc, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se shteti do ta mbështesë këtë kompani italiane nëse është e interesuar për hapjen e një fabrike tjetër në jug të Serbisë. Ai sugjeroi Vranjen ose ndonjë vend tjetër në jug.
“U thashë se nëse planifikojnë për të punësuar njerëz, do të kenë mbështetjen e shtetit serb, ne e kemi fabrikën e vjetër “Jumko” në Vranjë apo edhe diku tjetër në jug të Serbisë”, ka thënë Vuçiq, transmetojnë mediat.
Ndonëse gjatë vizitave të tij në Bujanoc ka paralajmëruar disa herë investime, presidenti nuk e ka përmendur konkretisht komunën e Bujanocit si lokacion potencial për impiantin e ri.
Aunde është një kompani italiane, fabrika e së cilës në Leskovc do të prodhojë mbulesa për sediljet e makinave.
Vuçiq njoftoi se më 31 tetor do të takohet me përfaqësuesit e një kompanie tjetër të njohur italiane që po planifikon një investim të madh në Nish, por se ende nuk mund të zbulojë se për cilën kompani bëhet fjalë.
Fabrika e re në Leskovc tashmë ka të punësuar 380 punëtorë dhe ndërkohë është paralajmëruar se numri i punëtorëve do të rritet në 560.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *