Bujanoc, 5 qershor 2020 (Foto nga arkivi: Kamberi në një nga përbërjet e mëparshme të parlamentit) – Në momentin që po lexoni këtë tekst, makina me 11.700 nënshkrime për listën e përbashkët të partive shqiptare tashmë është nisur për Beograd për t’u dorëzuar në Komisionin republikan zgjedhor (KRZ).
Sot, në mesnatën e 5 qershorit, skadon afati për paraqitjen e listave për zgjedhjet parlamentare (dhe ato lokale) të cilat do të mbahen më 21 qershori, ndërkohë që deri më tani në KRZ janë paraqitur 13 sosh.
Lista e përbashkët, e udhëhequr nga lideri i Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe njeriu i parë i Bujanocit, Shaip Kamberi, ka 5 kandidatë për deputet popullor me emërtimin „Alternativa Demokratike e Shqiptarëve-Lugina e Bashkuar“.
I vetmi përfaqësues shqiptar në parlamentin në largim është Fatmir Asani, anëtar i PVD-ës, partia e vetme shqiptare që kandidoi në zgjedhjet e 2016-ës.
Tani shqiptarët, në varësi të pjesëmarrjes, mund të marrin deri në 3 mandate.
Ishte Ministri i punëve të jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj i cili kishte pasur një angazhim të veçantë për një paraqitje të përbashkët të shqiptarëve në zgjedhjet parlamentare në Serbi, i cili i, në fillim të këtij viti, në Tiranë bashkoi liderët politikë të shqiptarëve të Luginës, kur ishte nënshkruar edhe marrëveshja.
Sipas ndryshimeve ligjore nga viti 2004, partitë e pakicave duhet të kalojnë vetëm „pragun natyror zgjedhor“, sipas të cilit një mandat i deputetit në Parlament është i barabartë me numrin e qytetarëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, të pjesëtuar me numrin e përgjithshëm të mandateve në parlament (250).