Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 8 korrik 2020. Ndalimi i organizimit të festave, dasmave, ditëlindjeve, ngjarje sportive, si dhe tubimi i më shumë se 5 personave në ambiente të brendshe dhe jashtme, janë disa nga masat e urgjencës të shpallura të mërkurën nga Shtabi për situata të jashtëzakonshme i Komunës së Bujanocit, qëllimi i të cilave është parandalimi i përhapjes së virusit Korona.
Masat u sollën me sugjerimin e doktoreshës Llella Jovanoviq, drejtoreshë e Shtëpisë së shëndetit në Bujanoc, për shkak të, siç tha ajo, situatës alarmante të përhapjes së sëmundjes COVID-19 në komunën tonë.
Është kufizuar orari i punës së objekteve të hotelierisë – kafiterive, restoraneve, hoteleve, bastoreve, sallave për organizimin e gazmendeve dhe ambienteve argëtuese për fëmijë, nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 20 të mbrëmjes.
Në këto lokale, nuk duhet të ketë më shumë se 2 persona në pranë një tavoline dhe duhet respektuar distanca e detyrueshme prej 2 metrash mes klientëve dhe tavolinave, ndërkaq punonjësit duhet të mbajnë maska mbrojtëse, thuhet në vendim.
Në ambiente të mbyllura – entet publike, transport, banka, zyra postare, bastore, kompani, është e detyrueshme mbajtja e maskës mbrojtëse ose mburojës plastike dhe mbajtja e distancës prej 2 metrash.
Puna e salloneve të bukurisë dhe parukierisë, qendrave të fitnesit dhe palestrave duhet të organizohet me zbatimin e të gjitha masave mbrojtëse, thuhet në vendim.
Ndërsa nënkryetari i komunës, Stojança Arsiq, i tha Bujanovaçkes, se masat emergjente do të hyjnë në fuqi menjëherë.
Se për sa kohë do të jenë në fuqi këto masa varet nga zhvillimi i situatës, por sigurisht jo më pak se dy javë, u tha në seancën e Shtabit komunal.