PROGRESISTËT SOT TE ARIFI, NUK HEQIN DORË NGA POZITA E KRYETARIT TË KUVENDIT

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 14 korrik 2020 Përfaqësuesit e koalicionit rreth Partisë Progresive Serbe (PPS) do të takohen me Nagip Arifin në selinë e Partisë së tij Demokratike (PD) të martën në orën 12, në një përpjekje për të kapërcyer mosmarrëveshjet për ndarjen e pushtetit në shumicën e re qeverisëse, të cilën po përpiqen ta bëjnë dy grupet më të mëdha politike në komunën e Bujanocit, mëson Bujanovaçke nga burime të informuara mirë për ngjarjen.

Progresistët insistojnë, para së gjithash, në pozicionin e kryetarit të kuvendit lokal dhe të ndarjes së funksioneve “ekskluzivisht në bazë të rezultatit zgjedhor”, siç kishte thënë më herët për Bujanovaçke shefi i tyre Nenad Mitrovia, ndërsa Arifi nuk ka pranuar të heqë dorë nga pozicioni i dytë më i rëndësishëm në vetëqeverisjen lokale, dhe jo vetëm.

Siç kemi mësuar jozyrtarisht, Arifi propozon një model që është thuajse identik me ndarjen e pushtetit në 8 vitet e mëparshme, kur koalicioni i partive serbe i kryesuar nga Stojança Arsiq kishte pozitën e nënkryetarit, krahas nënkryetarit të kuvendit, një kryeshef në administratën komunale dhe pozitën e drejtorit në Bibliotekë, Qendrën sportive dhe në Shtëpinë e shëndetit.

Të paktën deri më tani, ai nuk ishte i gatshëm të hiqte dorë nga administrimi i investimeve, urbanizmit apo Ndërmarrjes Publike “Komunalac”, duke shtuar vetëm pozicionin e zëvendësit të Avokatit të komunës në pjesën e “tortës” që serbët kanë marrë deri më tani, gjë që është shumë pak për orekset e Progresistëve, të cilët kanë fituar të njëjtin numër mandate këshilltarësh (10) sa edhe partia fituese PD, duke arritur kështu rezultatin më të mirë në zgjedhjet lokale që nga ekzistimi i partisë.

Është indikative se deri te takimi vie menjëherë pas përfundimit të konsultimeve të përfaqësuesve të listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për formimin e qeverisë së re.

Sipas njohësve të rrethanave të këtushme politike, rezultati i konsultimeve dhe oferta eventuale e Vuçiqit drejtuar shqiptarëve për pjesëmarrje në pushtetin republikan gjithsesi do të mund të ndikoj në “përafrimin e qëndrimeve” mes Arifit dhe Progresistëve.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *