FF RSL: KF “TËRNOCI” MBETET NË ZONËN “JUGU”, ME NJË KUSHT

Shkruan: N. Stevanoviq

Bujanoc, 20 prill 2023. Nëse Klubi i Futbollit “Tërnoci”, i përfaqësuar nga shqiptarët, të cilët kërcënuan të largohen nga gara në Zonën “Jugu”, pas incidentit në Vladiçin Han më 1 prill, luan një ndeshje me KF “Lugina” të mërkurën e ardhshme (26 prill), ata do të mbeten në ligë. Edhe pse tërnocasit nuk dolën në fushë në dy raundet e mëparshme, që do të nënkuptonte përjashtimin automatik nga gara, kryesia e klubit të Trnocit dhe përfaqësuesit e Federatës së Futbollit të Rajonit të Serbisë Lindore (FFRSL) u takuan të mërkurën në kërkim të daljes nga situata aktuale, i tha Bujanovaçkes, Oliver Trajkoviq, kryetar i Federatës Komunale të Futbollit (FFB) Bujanoc.

– Ndeshja e xhiros së 20-të me Alakincën, tashmë është çështje e kryer dhe u regjistrua me rezultat zyrtar 0:3 sepse tërnocasit nuk dolën në fushë. Mirëpo, ndeshja e xhiros së 21-të që KF “Tërnoci” është dashur të luajë kundër FK Lugina më 15 prill në Preshevë, nuk është regjistruar, që do të thotë se mund të luhet në një kohë tjetër. Në mbledhjen e djeshme u propozua që të jetë të mërkurën, të luhet ndeshja ashtu që KF “Tërnoci” ta vazhdojë garën – thotë Trajkoviq.

Është bërë e ditur se është shtyrë edhe ndeshja me Jedinstvon e cila është caktuar për të dielën më 23 prill.
Megjithatë, shtoi Trajkoviq, marrëveshja nuk është përfundimtare dhe pritet konfirmimi nga KF “Tërnoci”. Nga kryetari i klubit, Jusuf Hasani, provuam të mësojmë nëse tërnocasit do ta pranonin një zgjidhje të tillë, por ai nuk kontaktoi me Bujanovaçken deri në publikimin e këtij teksti.

KF TËRNOCI: FEDERATA KUNDËR NESH VETËM PSE JEMI SHQIPTARË

KF “Tërnoci” njoftoi se po mendon të tërhiqet nga gara pas ndeshjes në Han, e cila u ndërpre pasi tre nga lojtarët e ekipit të parë të klubit morën kartonë të kuq pothuajse njëkohësisht. Klubi më pas njoftoi se nuk do të luajë ndeshjet e ardhshme nëse nuk hiqen pezullimet e lojtarëve që morën kartonat e kuq. Për shkak të kësaj, ata humbën ndeshjet me KF Alakinca dhe KF Lugina.

Trajkoviq theksoi se shpreson që tërnocasit ta vazhdojnë garën.

– Nga këndëvështrimi ekskluzivisht sportiv, mendoj se do të ishte tragjike nëse KF “Tërnoci”do ta ndalonte garën, do të ishte një tragjedi për futbollin tonë dhe sinqerisht shpresoj se nuk do të vijë deri këtu – thotë ai.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *