Shkruan: Ivan Nikollov
Bujanoc, Bosilegrad, 24. nëntor 2024. (Foto ilustrim) – Në sallën solemne të Shtëpisë së Kulturës në Bosilegrad u promovua monografia “Libri për Bosilegradin – kronikë të kohëve të kaluara” të autorit Ivan Mitiq, e që u konsiderua skandaloz i shoqëruar me reagime të forta në opinionin e Bosilegradit dhe atë bullgar.
Foto: Autori i librit
Në fillim autori mbron tezën se territori i Bosilegradit nuk është i banuar nga bullgarët, por nga të ashtuquajturit “Shop”, si popull më vete, që flet një gjuhë të veçantë “shope”, me elementë të gjuhës serbe dhe bullgare.
Autori përpiqet ta kthejë kufirin shtetëror në etnik, duke pretenduar se në fshatrat e Republikës së Bullgarisë, përgjatë kufirit me Serbinë, ka një popullsi etnikisht të pastër bullgare, e cila nuk ka asnjë të afërm apo ndonjë lidhje tjetër të ngushtë me banorët e rajonit të Bosilegradit?
Përveç faktit se kjo nuk është e vërtetë, shumë qytetarë të Bosilegradit e përjetojnë këtë pretendim si fyerje, sepse kufiri shtetëror ndërmjet shtetit të serbëve, kroatëve dhe sllovenëve dhe Perandorisë së Bullgarisë, i vendosur me Traktatin e Paqes të Nejit të vitit 1919, ndau 25 fshatra, oborre, çifligje, familje, të afërm, fqinjë, shtëpi, varreza e kisha.
Pothuajse çdo familje nga Bosilegradi ka të afërm në Bullgari.
Veç kësaj, autori pohon se banorët e Bosilegradit deri në vitin 1878, kur gjoja Millan Obrenoviq i çliroi nga turqit, ishin analfabetë, nuk kishin vetëdije kombëtare, madje as mbiemra!?
Pas një sërë pretendimesh manipuluese dhe gjysmë të vërtetash, autori komenton edhe “politikën agresive bullgare ndaj Bosilegradit” – dhënien e nënshtetësisë bullgare, pranimin e studentëve në universitetet bullgare, bursa, konvikte studentore, programe kulturore, makina me targa bullgare, “ndërhyrjen” e kishës ortodokse bullgare në zakonet dhe ritualet e kishës ortodokse serbe etj.
Është skandaloze që Këshilli Kombëtar i Pakicës Kombëtare Bullgare, i cili me ligj duhet të përfaqësojë të drejtat e pakicës kombëtare bullgare në fushën e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës dhe shkrimit, financon botimin e një libri në gjuhën serbe që konteston identitetin kombëtar të bullgarëve dhe gjuhën e tyre amtare bullgare.
(Autor i tekstit është kryetari i QKI-së Bosilegrad)