EUROPA KËRKON NGA SERBIA TA SQAROJ PROCESIN E PASIVIZIMIT TË ADRESAVE

Bujanoc, 23. nëntor 2024. Komisioni Evropian i kërkon Serbisë të shpjegojë se si e kontrollon statusin e rezidencës kur bëhet fjalë për pasivizimin e adresave në jug të Serbisë, që më së shumti prek shqiptarët lokal.
“E kemi bërë të qartë se ka nevojë që autoritetet serbe t’i shpjegojnë më mirë publikut se si kryhen kontrollet e statusit të qëndrimit, gjë që rezulton me pasivimin e adresave të caktuara. Ne po kërkojmë gjithashtu një përgjigje nëse jugu i Serbisë është veçanërisht i shënjestruar në këtë drejtim”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero.
Siç raporton Radio Evropa e Lirë (RSE), ajo ka konfirmuar se kjo është një çështje që, sipas saj, trajtohet përmes procesit të zgjerimit, e veçanërisht në raportet vjetore të progresit.
Ajo theksoi se Komisioni Evropian ka marrë parasysh shqetësimet për pasivizimin e adresave të pjesëtarëve të komunitetit shqiptar në Serbi.
“Ne jemi duke e monitoruar situatën në dritën e obligimeve që Serbia ka marrë në negociatat për anëtarësim, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me të drejtat e pjesëtarëve të pakicave kombëtare”, theksoi ajo.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve u shpreh i kënaqur që kjo temë është në agjendën e KE-së.
Shqiptarët që nga gushti kanë organizuar protesta në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, duke kërkuar ndalimin e procesit të pasivimit të adresave, por edhe fillimin e zbatimit të Planit 7-pikësh për integrimin e shqiptarëve.
ÇFARË ËSHTË PASIVIZIMI? Pasivizimi i adresës është procedurë e rregulluar me Ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin e qytetarëve, me të cilën personi ç’lajmërohet nga adresa në të cilën është regjistruar, qoftë vendbanim si vendi i të jetuarit të përhershëm apo si qëndrim i i përkohshëm ose i kohëpaskohshëëm, për një periudhë më të gjatë se 90 ditë.
Shqiptarët nga jugu i Serbisë besojnë se pasivizimi i adresave është “më i theksuar në Luginën e Preshevës, ku jetojnë pjesëtarë të komunitetit shqiptar”.
Progres-raporti i këtij viti për Serbinë përmend edhe problemin e pasivimit të adresave ku jetojnë pjesëtarët e pakicës shqiptare.
Dokumenti thekson se pjesëtarët e pakicës kombëtare shqiptare shprehën shqetësimin për mënyrën se si policia kontrollon statusin e vendbanimit në jug të Serbisë, gjë që rezultoi në “pasivizimin” e caktuar të adresave.

Vlerësohet se ka nevojë që autoritetet t’i shpjegojnë më mirë publikut se si kryhen këto kontrolle.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *