Bujanoc, 13.8.2020.- Sot rreth orës 14:00 në hapsirat e shtëpisë së Jeton Ismailit në Tërnoc, redaktor dhe gazetar i portalit FOLonline, kanë hyrë I.M dhe V.M, babë e birë, poashtu nga Tërnoci, duke kërcënuar me jetë familjarët e Ismailit.
Meqë Jetoni nuk ndodhej në shtëpi, të sipërpërmendurit kanë kërcënuar dhe ofenduar bashkëshorten e tij e cila në ato momente ndodhej vetëm me tre fëmijë të vegjël.
Rasti është paraqitur në polici e cila pas pak minutash ka arritur në shtëpinë e Ismailit për të marrë deklaratë.
Poashtu ka arritur edhe ndihma e shpejtë e cila i ka ofruar ndihmën e parë bashkëshortes së Jetonit e cila pas rastit kishte pësuar trauma të thella.
FOLonline fton të gjitha organizatat mediale ta dënojnë fuqishëm këtë sulm i cili si i tillë është i papranueshëm ndaj mediave dhe fjalës së lirë.
Poashtu fton Ministrinë e Punëve të Brendshme ti ofrojë mbrojtje familjes Ismaili ngase kërcënimet ishin shumë të rrezikshme.
Nga instancat e sigurisë dhe drejtësisë kërkohet që kryesit e kësaj vepre penale të arrestohen dhe të dënohen konform Ligjeve.
Poashtu nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shtabi Republikan i Krizës kërkohet që të verifikohen nëse I.M. dhe V.M. kanë qenë me Covid dhe me rastin në fjalë nuk i’u janë përmbajtur rekomandimeve duke rrezikuar edhe infektimin e personave tjerë, gjë që paraqet vepër penale.
FOLonline supozon se shkas i këtij sulmi ka mundur të jetë që artikull i botuar ditë më parë lidhur me korona virusin e ku familja e kërcënuesve nuk ka qenë objekt fare.
Nëse instancat lokale dhe rajonale nuk ndërmarrin masa ndaj këtyre kërcënuësve, FOLonline do t’i drejtohet ministrit të punëve të brendshme dhe ministres së drejtësisë.