Bujanoc, 23 gusht 2021. – Shefi i klubit parlamentar “Lugina e Bashkuar – PAD Sanxhak” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, reagoi ndaj deklaratës së Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në lidhje me dialogun në Bruksel, duke bërë thirrje edhe për vazhdimin e dialogut me “përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës”.
Kamberi shkroi në Facebook se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur për dialogun në Bruksel, deklaroi se Serbia gjithmonë do të marrë pjesë në dialog, sa herë që është e ftuar, por që nuk sheh shumë kuptim në dialogun me Kurtin, sepse ai flet vetëm për të kaluarën, e jo për të ardhmen.
“Vuçiq madje shtoi se shteti që ai drejton është gjithmonë gati për negociata, sepse sipas tij, procesi i dialogut ndikon në uljen e tensioneve midis serbëve dhe shqiptarëve”, tha Kamberi, duke pyetur pse është bllokuar “dialogu me përfaqësuesit e zgjedhur të Luginës”?
“Ne me vite me radhë po ju presim në tryezën e dialogut të cilën e keni braktisur. Meqenëse ju jeni për një dialog të tillë, le ta vazhdojmë dialogun për të ardhmen në favor të zvogëlimit të tensioneve mes shqiptarëve dhe serbëve. Pra, me Luginën dhe për Luginën, ju nuk doni kurrfar dialogu dhe negociata, as ndikim në zvogëlimin e tensioneve mes serbëve dhe shqiptarëve, ndërsa nga ana tjetër, ju dëshironi dialog në Kosovë dhe për Kosovën vetëm sipas dëshirave tuaja ”, ka shkruar Kamberi në Facebook.