Shkruan: N. Stevanoviq
Bujanoc, 13. dhjetor 2022. (Foto nga arkivi) – Ndonëse ende nuk ka marrëveshje për mazhorancën në përbërjen e re të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve (KKSH), sot do të mbahet seanca konstituive e këtij entiteti. Siç është paralajmëruar, në seancë do të marrë pjesë edhe ministri për të drejtat e njeriut dhe pakicave Tomislav Zhigmanov.
Sipas ligjit, seancën konstituive e cakton ministri Zhigmanov dhe në rend dite është verifikimi i mandatit të të 15 anëtarëve të këshillit.
Bisedimet për formimin e shumicës qeverisëse janë iniciuar nga Partia për Veprim Demokratik (PVD) si fituese e zgjedhjeve, por ende nuk ka marrëveshje, ka konfirmuar për portalin tonë, të merkurën, kryetari i KKSH-së në përbërjen e kaluar, Ragmi Mustafa.
Pengesë në bisedimet për koalicion është kërkesa e Lëvizjes për Progres Demokratik (LPD) të Shqiprim Musliut që kësaj partie edhe pse ka vetëm 2 mandate t’i jepet posti i kryetarit.
Më herët nga PVD-ja ishte bërë e ditur se për shkak të koalicionit në KKSH, anëtarët e kësaj partie përballen me kërcënime dhe kushtëzime.
Në zgjedhjet e 13 nëntorit, PVD fitoi 5 mandate, po aq sa Alternativa për Ndryshim, PD dhe LPD kanë nga dy anëtarë ndërsa PDSH ka një anëtar në KKSH.