daulina osmani

DAULINA OSMANI I PREMTON SHQIPTARËVE NDIHMË NË SPORT DHE KULTURË

Bujanoc, 8 janar 2025 – Daulina Osmani, zëvendësministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, ka vizituar tri komunat në jug të Serbisë ku jetojnë shqiptarë. Siç ka bërë të ditur ajo, në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë, me nikoqirët ka biseduar për tema që kanë të bëjnë me dikasterin e saj, por edhe për problemet e përditshme të shqiptarëve.
“Kemi biseduar për sfidat dhe shqetësimet e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, për liritë dhe të drejtat themelore të shkelura nga shteti serb. Me fokus të veçantë folëm për kulturën, rininë dhe sportin. Shqiptarët e Luginës janë në zemrën e qëllimit tonë kombëtar, ndaj përkushtimi ynë ndaj tyre mbetet i palëkundur!”, ka thënë Daulina Osmani.
Ajo foli me deputetin Shaip Kamberi, kryetarin e KKSH-së Enkel Rexhepi, por edhe me përfaqësues të organizatave sportive dhe kulturore që tubojnë shqiptarët.
Osmani theksoi gatishmërinë e ministrisë së saj dhe të gjithë qeverisë së Kosovës për të mbështetur sportin dhe kulturën.
“Ky është një hap drejt krijimit të mundësive të reja për të rinjtë, për të ruajtur trashëgiminë tonë kulturore dhe unitetit kombëtar. Më shumë Kosovë dhe Shqipëri në Luginë”, ka shkruar kryetari i KKSH-së, Rexhepi, pas takimit.
Nga buxheti i Kosovës për këtë vit janë ndarë 4 milionë euro për këto tri komuna.
Në fund të vitit të kaluar, Beogradi ua ndaloi vizitën disa ministrave të Kosovës, ndërsa Prishtina ia ndaloi vizitën ministrit serb të kulturës, për të cilën shkroi Bujanovaçke.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *