Bujanoc, Beograd, 16 janar 2025. – Notat përfundimtare në shkollat fillore dhe të mesme për gjysmëvjetorin e parë mund të mbyllen deri më 24 janar, thuhet në një shkresë drejtuar shkollave nga Ministria e Arsimit.
Më parë, ky afat ishte deri më 20 janar, kur fillon gjysmëvjetori i dytë sipas kalendarit shkollor.
Në letrën, në të cilën ka pasur akses gazeta Danas, thuhet se sipas informacioneve nga shumica e drejtorëve, vlerësimi dhe përcaktimi i suksesit të nxënësve do të përfundojë në fund të gjysmëvjetorit të parë, deri më 20 janar, por se “ka një numër të caktuar shkollash që nuk kanë mundur të zbatojnë plotësisht aktivitetet e nevojshme”.
“Duke pasur parasysh këtë rrethanë, si dhe dinamikën aktuale të negociatave ndërmjet sindikatave përfaqësuese që po zhvillohen në nivelin më të lartë shtetëror, ju njoftojmë se Ministria e Arsimit ka rënë dakord që aktivitetet e vlerësimit dhe përcaktimit të suksesit të nxënësve,në përfundim të gjysmëvjetorit të parë do të zbatohet deri më 24 janar”, thuhet në shkresë.
Për kujtesë, është shpallur pushim i hershëm dimëror për nxënësit e shkollave jashtë Vojvodinës, duke filluar nga 24 dhjetori, ndërsa për nxënësit e Vojvodinës pushimi është zgjatur për shtatë ditë.
Autoritetet arsimore njoftuan se “masa për përfundimin e hershëm të gjysmëvjetorit të parë synon ruajtjen e shëndetit, sigurisë dhe mirëqenies së të gjithë nxënësve në procesin arsimor”, por arsyeja e vërtetë ishte synimi për t’i dhënë fund protestave të maturantëve që refuzuan për të ndjekur mësimet në shenjë solidariteti me studentët që po bllokojnë fakultetet, si dhe për të penguar grevën e punonjësve të arsimit.
Për shkak të ndryshimeve në kalendarin shkollor, ky vit shkollor do të shkurtohet me katër ditë.
Sindikatat përfaqësuese të mësimdhënësve kanë pranuar ofertën e Qeverisë për rritjen e pagave dhe kanë njoftuar se do të kthehen në mësim të hënën më 20 janar, ndërsa disa organizata më të vogla sindikale dhe shkolla individuale kanë paralajmëruar ndërprerje të punës për atë ditë, pasi janë të pakënaqura me marrëveshjen.