Bujanoc, 8. Tetor 2021. – Gjimnazisti dhe aktivisti Bogdan Matiq për bashkëmoshatarët e tij, realizoi projektin Interkulturaliteti – perspektiva e përbashkësisë në Bujanoc, i cili synon të kapërcejë dallimet mes nxënësve të shkollave të mesme nga komuniteti serb, shqiptar dhe rom.
Ky i ri, përfaqësues i ndërkulturalizmit në Bujanoc, pas pjesëmarrjes në Kampin e Liderëve të Rinj si vijues i tij, hartoi dhe realizoi një projekt për nxënësit e shkollave të mesme, me qëllim të tejkalimit të pengesave, që përndryshe e shoqërojnë mjedisin multietnik.
– Projekti ka të bëjë me jetën e përbashkët të të rinjve nga kultura të ndryshme brenda komunitetit. Aspirata duhet të drejtohet drejt të jetuarit së bashku pa dallime, sepse të gjithë jemi të njëjtë dhe të barabartë – ka thënë Bogdan Matiq për portalin tonë.
Ai shtoi se qëllimi i projektit është që të rinjtë në Bujanoc t’i ndryshojnë gjërat për të mirë, dhe bashkërisht t’i largojnë të gjitha stereotipet dhe paragjykimet për njëri-tjetrin, me respekt dhe mirëkuptim reciprok.
Projekti u zbatua të mërkurën (6 tetor) në ambientet e OSBE-së në prani të 20 nxënësve të shkollave të mesme shqiptarë, serbë dhe romë.
Donator i projektit ishte “Kampi i Liderëve të Rinj”, ndërsa i riu nga Bujanoci ka marrë mbështetje në realizimin e projektit nga organizata “Iniciativa Qytetare”.
Bujanovaçke shkroi më herët për aktivizmin dhe përpjekjet e Bogdanit për ta bërë komunitetin lokal një vend më të mirë për të jetuar.