Bujanoc, 17 dhjetor 2021. – Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, pas vizitës në Bujanoc dhe Preshevë, tha se kërkesat e përfaqësuesve politikë shqiptarë nga kjo zonë do të jenë “pjesë e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. Gërvalla theksoi se politika e jashtme e Kosovës ka për qëllim “t’i tregojë ndërkombëtarëve shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Bujanoc dhe Preshevë dhe diskriminimin që ata vuajnë nga shteti i Serbisë”.
Ajo ka theksuar se kjo është përgjegjësi e Kosovës ndaj shqiptarëve në Bujanoc dhe Preshevë.
Gjithashtu ajo tha se nuk e di se në cilën përbërje do të zhvillohet dialogu dhe cila do të jetë dinamika, por se “kërkesat legjitime të shqiptarëve në Luginën e Preshevës sigurisht që do të jenë pjesë e dialogut”.
– Do të jetë pjesë e dialogut që do të iniciojë qeveria e Kosovës, ndërsa sa i përket asaj se nëse do të jenë të pranishëm përfaqësuesit e Luginës së Preshevës apo vetëm kërkesat e tyre që ne i artikulojmë, kjo nuk është çështje që varet vetëm nga unë, sepse varet nga shumë faktorë të tjerë. Nuk varet nga ne, por kërkesat e tyre do të jenë në dialog – tha Gërvalla në emisionin “Prime Time” në Channel 10.
Në komunikatën e lëshuar nga ministria e udhëhequr nga Gërvalla thuhet se ministrja e siguroi kryetarin e Bujanocit Nagip Arifi se vizita e saj tregon “përkushtimin e fortë të institucioneve të Kosovës për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë”.
“Fokusi i këtij takimi ishte diskutimi i sfidave me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, si dhe forcimi i bashkëpunimit në mes të Luginës dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Liderët politikë shqiptarë në Bujanoc dhe Preshevë si problemet kryesore të komunitetit shqiptar në Serbi kanë theksuar pasivizimin e adresave të vendbanimit, mosnjohjen e diplomave të Kosovës, diskriminimin në punësim dhe moszhvillimin ekonomik të rajonit.
Në Bujanoc, Gërvalla ka biseduar me Nagip Arifin, deputetin Shaip Kamberi, kryeparlamentarin Enver Ramadani dhe liderin e Këshillit Kombëtar Shqiptar Ragmi Mustafa.
Ajo në Preshevë është takuar me kryetaren Ardita Sinani dhe zëvendësin e saj Ragmi Mustafa.
Početna FILLIMI MINISTRJA KOSOVARE: DO TË KËRKOJË QË LUGINA E PRESHEVËS TË JETË PJESË E DIALOGUT NË BRUKSEL
MINISTRJA KOSOVARE: DO TË KËRKOJË QË LUGINA E PRESHEVËS TË JETË PJESË E DIALOGUT NË BRUKSEL
Bujanovačke18. Dec 2021.FILLIMI, KOSOVË, POLITIKË0
Previous PostKAMBERI: SERBIA PO SILLET SI NË VITET 90-ta TË SHEKULLIT TË KALUAR
Next PostKURTI: PO LUFTOJ PËR NJOHJE NGA SERBIA E JO PËR AKS
Related articles
NUK RRESHTIN AKUZAT PËR SHKAK TË KONKURSIT TË KKSH-ës: KUAJT E TROJËS DHE PARANDALIMI I KORRUPSIONIT
Bujanovačke23. Nov 2024.