KAMBERI: SERBIA PO SILLET SI NË VITET 90-ta TË SHEKULLIT TË KALUAR

 

Bujanoc, 19 dhjetor 2021. Serbia është në fazën e “luftës propagandistike” kundër rajonit, si në vitet e 90-ta, tha deputeti popullor nga bujanoci Shaip Kamberi në Forumin e 14-të për Drejtësi Tranzicionale që po mbahet në Beograd.
Sipas agjencisë Beta, ai vlerësoi se është e pasinqertë që Serbia kinse mbështet nismën “Ballkani i Hapur” dhe se në të njëjtën kohë ministri i Policisë Aleksandar Vulin mbron idenë e një “Serbie të Madhe”, gjegjësisht ” botës serbe”.
“Kjo është shumë e dëmshme për stabilitetin dhe demokracinë në rajon, na sjell në situata të reja konflikti”. Thelbi i ngërçit në procesin e pajtimit është në Serbi”, tha Kamberi.
Sipas tij, Serbia ka një problem me Kroacinë, “duke mos dashur të pranojë krimet e luftës sepse ndoshta ka frikë nga dëmshpërblimet e luftës”.
Ai gjithashtu deklaroi se “nuk dëshiron të pranojë krimet në BiH”, ngase, siç vlerësoi ai, “dëshiron të rrëmbejë Republikën Srpska”.
Sipas tij, Serbia as që dëshiron t’i njohë krimet e luftës të kryera në Kosovë “sepse mendon se do të ruajë një pozicion më të mirë negociues në procesin aktual”.
Ai vlerësoi se në Serbi është në skenë “revizionizmi historik”, i cili, siç tha, “barazon lëvizjen çetnike, madje edhe Ljotiqin me antifashistët e Luftës së Dytë Botërore”.
Sipas tij, problem shtesë është se Bashkimi Evropian po e humb fuqinë lëvizëse sepse “nuk ka potencial për zgjerim të mëtejshëm”.




Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *